Rrahman Sylejmani flet për kallëzimin penal për skandalin e deportimit të turqve

KALLXO.com raportoi sot se Inspektorati Policor i Kosovës ka parashtruar kallëzim penal ndaj 22 zyrtarëve të Policisë së Kosovës në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq, të njohur si “Gylenistët”, të cilët u ndaluan dhe u dëbuan në mënyrë të mistershme nga Republika e Kosovës për në Turqi.

KALLXO.com, nga burimet e saj ka mësuar se në mesin e personave ndaj të cilëve është parashtruar kallëzim penal si të pandehur është edhe Rrahman Sylejmani, Drejtor i Departamentit të Kufirit në Policinë e Kosovës.

KALLXO.com ka kontaktuar me Sylejmanin, i cili ka thënë se nuk është i informuar se ndaj tij është ngritur kallëzim penal.

“Nuk kam informacione, nuk më kanë informuar në mënyrë zyrtare për kallëzim penal”, ka thënë Sylejmani.

Sylejmani ka bërë të ditur se para disa muajve është intervistuar në lidhje me këtë rast.

“Jam intervistuar, nga ata të cilët janë kompetent, kam dhënë edhe deklaratë në parlament, nuk ka qenë sekret kjo. Jam intervistuar para dy tre muajve, por për hapat tjerë nuk jam informuar se çfarë është ndërmarrë”, ka thënë Sylejmani.

KALLXO.com ka raportuar kur Sylejmani është intervisutar nga Komisioni hetimor parlamentar lidhur me deportimin e gjashtë shtetasve turq, i cili pas intervistimit ka thënë para mediave se intervista e tij ishte më e gjata.

“Ka zgjatur pasi që ka zgju kureshtje më të madhe. Kam qenë personi më kyç në atë hallkën e angazhimit, të veprimit”, ka thënë Sylejmani.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Prokuroria Speciale e Kosovës konfirmon pranimin e kallëzimit penal nga IPK.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka pranuar kallëzim penal nga IPK-ja ndaj 22 të pandehurve, ndërsa jemi duke intervistuar edhe të pandehurit  të tjerë në lidhje me ketë rast”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës për KALLXO.com.

Kallëzimi penal i paraprin aktvendimit për fillim të hetimeve.

Në bazë të kallëzimit penal, Prokuroria obligohet të ndërmarre veprime në bazë të të cilave vendosë për nxjerrje të aktvendimit për fillim të hetimeve ose hedhjen poshtë të tij.

Po ashtu, sipas burimeve të KALLXO.com, janë autorizuar veprime para hetimore edhe për nënkolonelin Shaban Guda.

Ky kallëzim paraqet hapin më të madh të institucioneve të Kosovës deri më tani në zbardhjen e zhvillimeve që çuan në deportimin e 6 shtetasve turq nga Kosova.

Të dy këta, janë në mesin e dhjetëra personave të intervistuar edhe nga Komisioni Hetimor i formuar në Kuvendin e Kosovës në lidhje me zbardhjen e dëbimit të shtetasve turq nga Kosova.

KALLXO.com mëson se në lidhje me personat e përfshirë në kallëzim penal ende nuk ka aktvendim për fillim të hetimeve, por është duke u mbledhur informacion.

Mëngjesin e 29 marsit të vitit të kaluar 6 shtetas turq ishin ndaluar gjatë një operacioni të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me AKI-në dhe brenda ditës ishin deportuar për në Republikën e Turqisë.

Ky operacion shkaktoi një reagim të gjerë në Kosovë dhe hasi në një kundërshtim të fuqishëm. Si rrjedhojë, nga detyra u liruan Ministri i Brendshëm, Flamur Sefaj dhe shefi i AKI-së, Driton Gashi.

Kuvendi i Kosovës më pas themeloi një komision hetimor ku i intervistuan dhjetëra persona në mesin e tyre edhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ish drejtori i Policisë së Kosovës, tani shef i AKI-së, Shpend Maxhuni, e shumë persona të tjerë.

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me këtë rast ka hartuar një raport ku ka konstatuar dhjetra shkelje.

Gjithashtu, Institucioni i Avokatit të Popullit, ka nxjerrë një raport ku ka konstatuar shkeljen e të drejtave të njeriut.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi në lidhje me këtë rast, ndërsa edhe emisioni “Drejtësia në Kosovës”, i ka kushtuar një emision këtij rasti duke hedhur dritë mbi shkeljet e të drejtave të njeriut në këtë rast.