Përballja e politikanëve me Policinë, Grafika: KALLXO.com

Rrahjet dhe përplasjet e politikanëve kosovarë me Policinë

Zyrtarët e forcave të rendit disa herë kanë qenë cak i përplasjeve dhe sulmeve verbale e madje edhe fizike nga politikanët e Kosovës.

Shkak deri të sulmet shpesh herë kanë ardhur pasi politikanët kosovarë nuk janë pajtuar me gjobat për kundërvajtje në trafik të shqiptuara ndaj tyre nga ana e Policisë së trafikut.

Vetëm brenda një muaji, dy ish-deputetë të Kuvendit të Kosovës, Nuredin Lushtaku dhe Zafir Berisha, janë përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë. Në të dy rastet, palët fajin e hodhën te policët më të cilët u përballën.

Rasti më i freskët është ai i ish-gjeneralit të UÇK-së, Nuredin Lushtaku, e bashkë me të, të dyshuar janë edhe familjarë të tij.

Lushtaku dyshohet se më 3 korrik 2022, bashkë me tre familjarë të tij u përfshi në një incident ndaj dy zyrtarëve policorë. Nga ky incident, sipas raportit zyrtar të Policisë, dy zyrtarë policorë janë plagosur, njëri me armë e tjetri me mjete të forta.

E gjitha ngjarja ka ndodhur para mesnatës në Skenderaj, kur djali i Nuredin Lushtaku ishte ndaluar në komunikacion, të cilit i ishte shqiptuar një tiketë. Më pas, Nuredin Lushtaku bashkë më dy vëllezër të tij, kishin arritur aty kur më pas situata mori një rrjedhë tjetër.

Mëngjesin e së dielës, ish-deputeti i PDK-së, Nuredin Lushtaku për KALLXO.com mohoi të ketë përdorur armë ai, djemtë ose vëllëzërit e tij në drejtim të zyrtarëve policorë. Lushtaku mohoi që ata kanë plagosur policët. Sipas tij, armën e ka përdorur njëri polic.

Ai atë ditë ishte liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit, por një ditë më pas (4 korrik), Prokuroria e Mitrovicës u vu në kërkim të tij. Ai u dorëzua po atë ditë. Aktualisht, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar masën e paraburgimit për ish- nënkryetarin e Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtakun dhe dy familjarët e tjerë.

Në anën tjetër, ish-deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha u përfshi në një rast me zyrtarët policorë më 9 qershor në Prizren. Zafir Berisha u arrestua nën dyshimin se ka sharë, ofenduar, kërcënuar e sulmuar fizikisht zyrtarët policorë, pasi ata i kishin vënë një gjobë për kundërvajtje në trafik.

Pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Zafir Berisha kishte thënë se është e pavërtetë se ka sulmuar policinë. Ai ka thënë se Policia e ka sulmuar atë dhe për këtë edhe ka dhënë deklaratën në stacionin policor. Berisha pretendoi se kjo nuk është hera e parë që i ka ndodhur një gjë e tillë, ndërsa thotë se gabimi i tij është se “ka rënë në provokimin e policit”.

Në maj të vitit 2021, Memli Krasniqi, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), është përplasur verbalisht me dy zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Krejt kjo pasi i dënuan shoferin, i cili kishte kaluar semaforin në të kuqen. Në videot që u publika nga mediat atëkohë, Krasniqi dëgjohet duke i thënë policit “A del ti nesër në punë?”.

Në vitin 2016, ish-deputeti tjetër Rexhep Selimi, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ishte përfshirë në një incident me një polic, i cili tentoi ta kontrollojë në momentin kur ai doli nga salla e Kuvendit të Kosovës.

Selimi, kishte thënë se pjesëtarin e Policisë e ka paraqitur në Inspektoratin Policor, pasi sipas tij, ai ka tejkaluar normat etike gjatë bastisjes trupore.

Në qershor të vitit 2018, u raportua se ish-deputeti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Islam Pacolli ka sulmuar një oficer sigurie, në Ministrinë e Drejtësisë, por që sulmin e mohoi kategorikisht.

Në anën tjetër, një rast tjetër përfundoi edhe në instanca të larta të drejtësisë.

Djemtë e Adem Grabovcit, ish-deputet i PDK-së, ishin akuzuar për sulm ndaj një pjesëtari të Policisë së Kosovës.

Incidenti kishte ndodhur në shkurt të vitit 2013.

Dy vjet më vonë, dy vëllezërit ishin dënuar nga Gjykata e Prishtinës me nga 6 muaj burgim, por dënimi ishte konvertuar në dënim me para.