Rrahje në një shkollë në Kamenicë, dy të lënduar rëndë

Dy persona kanë pësuar lëndime të rënda, pasi dyshohet se janë sulmuar fizikisht nga tre të dyshuar, të cilët më pas janë arrestuar.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur në një Shkollë të mesme në Kamenicë.

Policia ka njoftuar se viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, teksa në këtë rast u përdor edhe një boks i metalit.

“Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që i kanë sulmuar fizikisht dy viktimat meshkuj kosovarë. Të lënduarit kanë pranuar tretman mjekësor. Si dëshmi është konfiskuar një boks i metalit, që dyshohet të jetë përdorur në rast. Me vendim të Prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.” – tha Policia në Raportin 24-orësh.

KALLXO.com kontaktoi edhe me drejtorin e Arsimit në Komunën e Kamenicës, Afrim Dervishi, por i njëjti tha përmes telefonit se nuk është në dijeni për rastin.

Detaje të tjera deri në publikimin e shkrimit nuk dha as Prokuroria e Gjilanit.

Rasti është iniciuar si: “lëndim i rëndë trupor”.