Ilustrim: Policia kontrollë, Foto: KALLXO.com

Rrahje në një diskotekë në Pejë, dyshohet se u përfshi edhe një këngëtar

Një rrahje brenda një diskoteke në Pejë është regjistruar në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, më 01.08.2024.

Në polici ndonëse nuk ka ende të arrestuar për rastin, po punohet për ta zbardhur ngjarjen.

Informacionet që posedon KALLXO.com tregojnë se ka dyshime se në rrahje u përfshi edhe një këngëtar.

Fillimisht sipas zëdhënësit të policisë në Pejë, hetuesit policorë po punojnë në identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në rast.

Dy burra ishin paraqitur në spitalin e Pejës për të kërkuar ndihmë mjekësore.

Policia njoftimin për ngjarjen e mori pasi u kontaktua nga spitali për dy burrat që kishin kërkuar trajtim mjekësor.

Kështu të paktën konfirmon edhe zëdhënësi i policisë në Pejë, Fadil Gashi për KALLXO.com.

“Rreth orës 3:37 stacioni policor në Pejë është njoftuar nga spitali rajonal i Pejës se kanë pranuar dy persona të lënduar të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes ka kontaktuar me viktimat dhe të njëjtit kanë deklaruar se deri sa kanë qenë në një diskotekë, janë sulmuar nga persona të panjohur të cilët u kanë shkaktuar lëndime trupore dhe janë larguar në drejtim të panjohur” – tha Gashi për KALLXO.com.

Sipas Gashit, policia po punon për të identifikuar të dyshuarit pasi që sipas tij janë të përfshirë disa persona.

“Rasti është në fazën e hetimeve dhe nuk mund të japim emra, kanë qenë 7-8 persona që janë përfshirë në rrahje dhe janë të dyshuar por ende është herët për të dhënë konstatime, policia po punon për me i identifiku të dyshuarit. Deri më tash nuk kemi asnjë të arrestuar” – tha Gashi tutje.

E për këtë çështje KALLXO.com ka kontaktuar edhe prokurorinë në Pejë.

“Është iniciuar rast për këtë çështje. Policia është në fazën e grumbullimit të provave. Jemi në pritje për të gjeturat e Policisë. Prokurori i shtetit pasi të marrë të gjeturat e policisë, do veproj komform dispozitave ligjore”- tha në një përgjigje shkurt Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë në Pejë për KALLXO.com.