Rrahje në mes nxënëseve në Gjakovë, disa të lënduar

Një rrahje në mes dy grupeve të nxënëseve të Shkollës së Mesme “Hysni Zajmi” në Gjakovë ka ndodhur sot.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Nysret Xharkaj.

Sipas Xharkajt mosmarrëveshja në mes dy grupeve ka filluar dje.

Ai ka thënë se njëri nga nxënësit e kësaj shkolle ka deklaruar se përleshja ka ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshje të mëhershme që kishte ndodhur më 11 janar të këtij viti.

“Një nxënës i shkollës së mesme “Hysni Zajmi” Gjakovë ka deklaruar se sot posa kishte përfunduar procesin mësimor para objektit të shkollës kishte takuar një person (tani i dyshuar) dhe aty kishte filluar menjëherë përleshja në mes të dy grupeve nxënësish, ku kanë shkëmbyer goditje me grushta, shkelma dhe mjete të forta duke i shkaktuar njëri-tjetrit lëndime të lehta trupore në pjesë të ndryshme të trupit”, ka thënë Xharkaj për KALLXO.com.

Sipas tij të dyshuarve të lënduar u është ofruar tretman mjekësor dhe se tek njëri nga të dyshuari është konfiskuar një mjet i fortë, boks i hekurit.

“Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe me urdhër të tij të dyshuarit lirohen në procedurë të rregullt”, ka shtruar tutje ai.

Po ashtu Xharkaj ka njoftuar se edhe disa persona të tjerë të cilët janë të përfshirë në rrahje janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe për momentin janë në arrati.