Ilustrim - Policia në aksion

Rrahja rrugëve të Prizrenit, Policia jep detaje për motivet e rastit dhe të dyshuarit

Një rrahje ndërmjet disa personave ka ndodhur sot rrugëve të Prizrenit, më saktësisht në lagjen Ortakoll në mes të kryqëzimit të semaforëve.

Në video e publikuara shihen disa persona duke goditur dhe sulmuar dy viktima, ndërsa ngjarja ka ndodhur rreth 200 metra larg Stacionit Policor, njësiti i trafikut që gjendet në atë lagje.

Lidhur me rastin rreshteri Vesel Gashi nga Drejtoria e Policisë së Prizrenit për KALLXO.com tha se Policia ka ndaluar një të dyshuar i cili po intervistohet në Polici, ndërsa është në hetim për të identifikuar të dyshuarit e tjerë.

Zëdhënësi Gashi tha se në konsultim me Prokurorin e Shteti rasti është iniciuar se rast për lëndime të rënda trupore, dhe se dy viktimat kanë marrë tretman mjekësor në emergjencë.

Deri te ngjarja sipas Policisë ka ardhur pasi që dy viktimat që kanë pësuar lëndime të rënda trupore, janë të njohur për organet e Policisë dhe të njëjti kanë disa raste të vjedhjeve të rënda

“Dyshohet se viktimat janë kryes të vjedhjeve të rënda dhe kjo përleshje ka ardhur për këto motive, pra sipas deklaratave të para dyshohet se deri te përleshja ka ardhur për shkak se dy viktimave iu janë gjetur gjësende që ju kanë vjedh në shtëpi personit që tash është i dyshuar për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore”, tha rreshteri Gashi.

Ndërsa pos një të ndaluari i cili po merret në pyetje, Policia është duke identifikuar edhe të dyshuar të tjerë që kanë marrë pjesë në rrahjen, mirëpo ende nuk janë identifikuar të dyshuarit.