Arkiv - Remzi Shala para Gjykatës - 24.05.2019

Rrahja në gjykimin për krime lufte, Gjykata e Prizrenit del me sqarim

Gjatë ditës së sotme ka ndodhur një incident në sallën e Gjykatës së Prizrenit ku po zhvillohej gjykimi për krime lufte ndaj Remzi Shalës.

Gjykata përmes një komunikate ka dhënë detaje se si ka ndodhur rasti.

Sipas komunikatës, derisa po dëgjohej një dëshmitar, ka filluar një incident në mes të pranishmëve në sallë të gjykimit, ku dhe është ndërprerë seanca.

“Është dashur intervenimi i Policisë së Kosovës, gardianëve të burgut, dhe i sigurimit të Gjykatës, (të cilët kanë qenë të pranishëm në sallë) për të ndërprerë incidentit, dhe për të liruar sallën e gjykimit, më pastaj Policia ka dërguar forca shtesë dhe kanë arrestuar të dyshuarit e rastit”, thuhet në komunikatë.

Siç bëhet e ditur, gjatë incidentit kanë qenë të pranishëm të dëmtuarit dhe familjarë të tyre, i akuzuari nën përcjellje të gardianëve të burgut, dhe familjarë të tij të afërt.

“Gjykata i ka ofruar bashkëpunim Policisë, objekti i Gjykatës është i pajisur me kamera të sigurisë , në sallë dhe korridore të Gjykatës, të cilat do ti shërbejnë Policisë së Kosovës për procedurën hetimore, për më tepër Gjykata do të pret raportin final pas procedurës hetimore nga ana e Policisë së Kosovës”, përfundohet në njoftim.

KALLXO.com raportoi më parë lidhur me incidentin që ndodhi sot në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte, Remzi Shala, i njohur me nofkënn ‘Molla e Kuqe’.

Rrahje në gjykimin për krime lufte