Remzi Shala | Foto: Drejtësia në Kosovë

Rrahja në gjykimin për krime lufte, deklarohet avokati i komandantit 'Molla e Kuqe'

Gjatë ditës së sotme ka ndodhur një incident në sallën e Gjykatës së Prizrenit ku po zhvillohej gjykimi për krime lufte ndaj Remzi Shalës.

Në një deklarim për KALLXO.com avokati i të akuzuarit Blerim Mazreku, ka sqaruar se Remzi Shala nuk e ka sulmuar askënd, por, ka ndodhur një përleshje fizike mes të gjitha palëve.

“Mundem me thënë se ka qenë një përleshje fizike mes të gjitha palëve, për momentin nuk mund të deklarohem më shumë sepse jam duke pritur. Nuk ka qenë sulm i Remzi Shalës por ka qenë përleshje fizike mes palëve”, ka thënë avokati Mazreku.

KALLXO.com raportoi pak më parë për incidentin  që ka ndodhur në gjykatën e Prizrenit.

Lajmin për Kallxo.com e ka konfirmuar edhe avokati Asdren Hoxha, i cili ka thënë se pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit në sallën numër 1 ka deklasuar situata.

Ai ka sqaruar se akuzuari ka reaguar duke e quajtur gënjeshtar dhe duke gjuajtur me ujë në drejtim të Zenel Përteshit.

“Derisa po jepte dëshminë dëshmitari, i akuzuari ka filluar që ta quajë gënjeshtar, rrenc e më pas ka filluar konflikti edhe me palën e dëmtuar ku i akuzuari e ka gjuajtur me shishe të ujit Zenelin në drejtim të tij”, tha avokati Hoxha.

Ai ka sqaruar se pas kësaj, policia ka ndërhyrë dhe i ka lokalizuar.

Zëdhënësi i gjykatës, Marcel Lekaj për KALLXO.com e ka konfirmuar se ka ndodhur një incident në sallën numër 1 të gjykatës, por nuk ka dhënë detaje tjera, pasi që sipas tij me rastin tani janë duke u marrë organet përgjegjëse.

Prokuroria Speciale po e akuzon Remzi Shalën se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.

Sipas aktakuzës të datës 19 tetor 2016, të ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona tjerë – pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Lidhur me këto akuza, më 3 korrik 2019, Remzi Shala ishte dënuar nga Gjykata e Prizrenit me 14 vite burgim.

Kurse, nga 14 vite burgim sa ishte gjykuar nga ana gjykatës së shkallës së parë, të akuzuarit Remzi Shala nga Gjykata e Apelit i ishte zbutur dënimi në 10 vite burgim.

Kallxo.com ka raportuar për rastin në fjalë që nga janari i vitit 2017 dhe dëshmi për rastin ishin dhënë edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Emisionin e plotë për aktakuzën ndaj ish-ushtarit të UÇK-së Remzi Shala mund ta shikoni këtu:

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK