Arkiv - Remzi Shala ne Gjykatë - 24.05.2019

Rrahja në gjykimin ndaj komandantit 'Molla e Kuqe', policia ndalon 4 persona

Gjatë ditës së sotme ka ndodhur një incident në sallën e Gjykatës së Prizrenit ku po zhvillohej gjykimi për krime lufte ndaj Remzi Shalës.

Lidhur me këtë policia ka bërë të ditur se katër persona janë ndaluar për 48 orë.

Zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, Vesel Gashi për KALLXO.com ka thënë se fillimisht 8 prej të dyshuarve janë intervistuar dhe me urdhër të prokurorit 4 persona janë ndaluar.

“Lidhur me këtë rast njësitet policore kanë marrë veprimet ligjore ku janë shoqëruar 8 persona dhe janë intervistuar, katër prej tyre me urdhër të prokurorit janë ndaluar për 48 orë”, ka thënë zëdhënësi Gashi.

Sipas policisë, rasti ndaj të dyshuarve është duke u trajtuar si lëndim i lehtë trupor.

Të ndaluarit sipas policisë janë 2 persona nga ana e të dëmtuarve dhe 2 nga ana e të akuzuarit.

KALLXO.com raportoi më parë lidhur me incidentin që ndodhi sot në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte, Remzi Shala, i njohur me nofkën ‘Molla e Kuqe’.

Gjykata përmes një komunikate ka dhënë detaje se si ka ndodhur rasti.

Rrahja në gjykimin për krime lufte, Gjykata e Prizrenit del me sqarim

Sipas komunikatës, derisa po dëgjohej një dëshmitar, ka filluar një incident në mes të pranishmëve në sallë të gjykimit, ku dhe është ndërprerë seanca.

“Është dashur intervenimi i Policisë së Kosovës, gardianëve të burgut, dhe i sigurimit të Gjykatës, (të cilët kanë qenë të pranishëm në sallë) për të ndërprerë incidentit, dhe për të liruar sallën e gjykimit, më pastaj Policia ka dërguar forca shtesë dhe kanë arrestuar të dyshuarit e rastit”, thuhet në komunikatë.

Lajmin për Kallxo.com e ka konfirmuar edhe avokati Asdren Hoxha, i cili ka thënë se pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit në sallën numër 1 ka eksaluar situata.

Rrahje në gjykimin për krime lufte

Ai ka sqaruar se akuzuari ka reaguar ndaj dëshmitarit duke e quajtur gënjeshtar dhe duke gjuajtur me shishe të ujit në drejtim të Zenel Përteshit.

“Derisa po jepte dëshminë dëshmitari, i akuzuari ka filluar që ta quajë gënjeshtar, rrenc e më pas ka filluar konflikti edhe me palën e dëmtuar ku i akuzuari e ka gjuajtur me shishe të ujit Zenelin në drejtim të tij”, tha avokati Hoxha.

Ndërkaq, avokati i të akuzuarit Blerim Mazreku, ka sqaruar se Remzi Shala nuk e ka sulmuar askënd, por, ka ndodhur një përleshje fizike mes të gjitha palëve.

Rrahja në gjykimin për krime lufte, deklarohet avokati i komandantit ‘Molla e Kuqe’

“Mundem me thënë se ka qenë një përleshje fizike mes të gjitha palëve, për momentin nuk mund të deklarohem më shumë sepse jam duke pritur. Nuk ka qenë sulm i Remzi Shalës por ka qenë përleshje fizike mes palëve”, ka thënë avokati Mazreku.

Prokuroria Speciale po e akuzon Remzi Shalën se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.

Sipas aktakuzës të datës 19 tetor 2016, të ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona tjerë – pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Remzi Shala është dënuar me 14 vite burgim, kurse Gjykata e Apelit përmes një vendimi i ka zbutur dënimin në 10 vite burgim. Pas kësaj, Gjykata Supreme ka anuluar këto dy gjykime duke e kthyer rastin në rigjykim.