Rrahja e djalit të Nenad Rashiqit, 7 të dyshuarit sot pritet të dalin para Gjykatës

Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar paraburgim për 7 persona, të cilët dyshohen për rrahjen e djalit të politikanit serb në Kosovë, Nenad Rashiq.

Për 7 nga 8 të dyshuarit është kërkuar paraburgimi, ndërsa tjetri person i dyshuar për këtë rast është i mitur dhe është duke pranuar trajtim mjekësor.

Zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi për KALLXO.com ka thënë se të njëjtit priten të dalin para gjykatës në Graçanicë, meqenëse vepra është kryer atje dhe seanca pritet të mbahet në ora 10:30.

Nenad Rashiq, në një intervistë ekskluzive në “KALLXO Pernime” ka treguar se djali i tij është sulmuar me boksa të hekurt e çekiçë.

Nikolla Rashiq ka pësuar dëmtime të rënda në fytyrë dhe në kokë, ku sipas babait të tij i janë thyer dhëmbët.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi se 8 persona janë të dyshuar për rrahjen e djalit të Nenad Rashiq, Nikolla Rashiq dhe ishin shoqëruar dje në Polici.