Rrahim Hashimi thotë se iu montua zëri në video ku përmendet Kadri Veseli

I akuzuari Rrahim Hashimi ka dalë sot para gjyqit në Prishtinë për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë së Ferizajt për mashtrim

Hashimi sot ka përfunduar dhënien e mbrojtjes së tij.

Gjykata e Prishtinës po e gjykon Rrahim Hashimin dhe Kadri Rexhepin nën akuzat për mashtrim ndaj Faton Dalladakut duke u paraqitur si njerëz të afërm të ish-Kryeparlamentarit Kadri Veselit dhe ish-deputetit të PDK-së Xhavit Halitit në përpjekje për ta ndërtuar një spital në Prishtinë.

Në këtë seancë i akuzuari deklaroi se Kadri Rexhepi nuk ka pranuar asnjë shumë në emër të pagesës apo shpërblimit rreth riblerjes së spitalit.

Ai po ashtu mohoi të këtë marrë ndonjëherë para kesh prej Faton Dalladakut.

Ai foli edhe për incizimet ku shihet duke numëruar para.

“ E ri konfirmoj se ca pamje janë reale, zëri është i montuar në to, nuk paraqet realitetin ndërsa për parat të cilat shihen në atë video kanë qenë para të Faton Dalladakut të destinuar për një borxhli të tij nga Ferizaji, dhe se më kujtohet jeton në Prishtinë të cilit ia ka dërguar Kadri Rexhepi”, tregoi ai.

Rrahimi më tuje shtoi se paratë nuk ishin destinuar për fytyra publike.

“ Faton Dalladaku ato para qëllimisht i ka rrëzuar nga tavolina në tokë, që sot e kom kuptu qëllimin dhe i kom ndihmu me i numëru, mirëpo mund të konstatoj se parat s’kanë qenë fare për Xhavit Halitin apo për ndonjë personalitet tjetër publik apo shtetëror”, tha ai.

Shumën e parave prej rreth 127 mijë euro Rrahim Hashimi deklaroi se e kishte marrë nga Faton Dalladaku përmes llogarisë bankare, e që sipas të njëjtit, Dalladaku ia kishte bërë këtë pagesë për shkak të realizimit të ndërmjetësimit në mes tij, Faton Dalladakut dhe Ekrem Llukës.

Hashimi shtoi se Faton Dalladaku  ia kishte kërkuar kthimin e parave në pranverë të vitit 2014.

“ Përmes disa rrugaçëve, dhe një herë vet personalisht , madje ka kërku 4 fishin e tyre , nëse nuk e realizoj brenda një jave atë pagesën prej 127 mijë euro”, tha i akuzuari.

Hashimi u pyet nëse ka folur me Kadri Veselin në telefon.

“As në video incizime, as ne telefon , as me Kadri Veselin e as me dikë tjetër që është shtier apo paraqitur në emër të  Kadri Veselit” tha Rrahim  Hashimi.

Ai shtoi sërish, se zëri në video është i montuar në tërësi dhe se për këtë arsyje ka kërkuar ekspertizë të autenticitetit, kishte shtuar i akuzuari.

Rrahim Hashimi: Asnjë cent s’është kërkuar apo marrë në emër të Kadri Veselit e Xhavit Halitit