Pjesëtarja e komunitetit transgjinor, Anxhela, pas dhunës nga një grup personash. Foto: Aleanca LGBT

Rrahet para Parlamentit pjesëtarja e komunitetit transgjinor

Aleanca LGBT denoncoi të martën dhunën fizike ndaj Anxhelës, një pjesëtareje të komunitetit transgjinor, e cila ishte rrahur nga një grup të rinjsh në rrugën para selisë së parlamentit. Në një njoftim në faqen e organizatës në Facebook, në të cilin gjenden dhe fotografi të të dhunuarës,  thuhet se Anxhela ishte sulmuar “nga një grup djemsh rreth të njëzetave”.

Në një bisedë telefonike me BIRN, Xheni Karaj, drejtoreshë ekzekutive e Aleanca LGBT, tha se ky ishte rasti i disatë që Anxhela sulmohej në rrugë. “Ky është rasti i disatë dhe ajo që duhet thënë është se në asnjë prej rasteve nuk janë ndaluar apo dënuar autorët”, tha ajo.

Karaj tha se ngjarja kishte ndodhur rreth orës 15.30 në rrugën para parlamentit dhe se rreth orës 18.20 ishin ende në procedurat e marrjes së kallëzimit.

E pyetur rreth ngjarjes Policia e Tiranës nuk u përgjigj deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.

Në njoftimin e tyre në Facebook organizata Aleanca LGBT kërkoi zbardhjen e ngjarjes. “Në vijim të zbardhjes së ngjarjes, u bëjmë thirrje autoriteteve ligjzbatuese të identifikojnë sa më shpejtë autorët dhe t’i sjellin ata përpara drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit Anxhela ishte bërë shenjestër për shkak të pjesëmarrjes në paradën e fundit të LGBTI në Tiranë. “Pamjet e mëposhtme janë treguesi më i shëmtuar i realitetit me të cilin komuniteti LGBTI e kryesisht ai transgjinor përballen në Shqipëri”, thuhet në njoftim. (reporter.al)