Rozeta Hajdari pranon detyrën e ministres nga Valdrin Lluka dhe Endrit Shala

Rozeta Hajdari ka pranuar detyrën e ministres nga ish- ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala dhe nga ish- ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Hajdari do të jetë ministre e Ekonomisë, Punësimit, Industrisë dhe Investimeve Strategjike.

Ministrja Hajdari do të udhëheq një ministri në të cilën janë shkrirë tri ministri aktuale. Ajo do të udhëheq me ministrin e ekonomisë që deri më tash ka qenë në kuadër të ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Përveç kësaj, Hajdari do të ketë kompetenca edhe në fushën e tregtisë dhe industrisë dhe investimeve strategjike, që kanë qenë të ndara në dy ministri të veçanta. Kësaj ministrie do t’i bashkohet edhe pjesa e punësimit, që deri më tash ka qenë ministri e veçantë.

Lluka ka shkruar se Hajdarit i ka ofruar ndihmën e tij për një periudhë transitore në mënyrë që të ketë më të lehtë këtë periudhë të ngarkuar.

“Ministren Hajdari e njoh që mbi 8 vite dhe kam besim që do të bëj një punë të mirë për zhvillimin e vendit”, ka bërë të ditur ish- ministri përmes një komunikate.

Ndërsa, Endrit Shala e uroi ministren Hajdari  për pozitën e re dhe më pas e njoftoi shkurtimisht për punën dhe projektet e përfunduara dhe ato në vazhdimësi.

Siç vijon njoftimi i MIT, Hajdari shprehu gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me të gjithë për t’i zhvilluar fushat që janë në kuadër të kësaj ministrie, që do të ndikojnë në zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit.

Ndërkohë që në orët e pasdites pritet të pranojë detyrën edhe prej ministrit të punës, Skender Reçica