Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë FOTO:KALLXO.com

Rozeta Hajdari: Një kontratë e jashtëligjshme e ministrit të kaluar mund ta dërgojë Kosovën në Arbitrazh

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari,  ka thënë se një udhëzim administrativ i jashtëligjshëm për naftën, i trashëguar nga ish-ministri Vesel Krasniqi, mund ta dërgojë Kosovën në Arbitrazh.

“Ky ka qenë i jashtëligjshëm sepse në ligjin e vjetër nuk është parë markimi dhe monitorimi i naftës, po ashtu, nuk parashihet as në ligjin e ri. I jashtëligjshëm është sepse ka sjellë një kontratë e cila është nënshkruar nga ish-ministri Vesel Krasniqi. Kjo kontratë është e lidhur me një kompani zvicerane për pesë vite për markimin dhe monitorimin e naftës. Ne duke e ditur që në kontratë është klauzola e arbitrazhit nuk kemi anuluar komplet udhëzimin administrativ”, tha Hajdari në emisionin “Kallxo Përnime”.

Hajdari ka thënë se ka rrezik edhe për Arbitrazh, prandaj janë duke pritur opinionin ligjor nga juristët ndërkombëtarë.

Sipas saj, paralel me shfuqizimin e vendimit i kanë larguar të gjithë artikujt e jashtëligjshëm përpos njërit që merret me markimin.

“Ne kemi informuar Policinë dhe Prokurorinë për këtë kontratë të paligjshme. Policia dhe Prokuroria janë para hetimit formal të kësaj kontrate”, tha ajo.

Sipas saj për largimin e këtij monopoli është duke u konsultuar me juristët ndërkombëtarë për largimin e  këtij monopoli.

“Dyshimet tona të para janë që është një proces jotransparent. Ka ardhur vetëm një konkurrues. Ka derivuar nga një udhëzim administrativ i jashtëligjshëm dhe kjo është shkelje e detyrës, shkelje penale, është kundër çdo interesi publik për naftën”, ka thënë ministrja.

KALLXO.com në fillim të këtij viti kishte realizuar një hulumtim rreth dyshimeve për kontrollin e cilësisë së naftës.

Udhëzimi administrativ i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kontrollin e cilësisë së naftës këtë vit ia mori Doganës së Kosovës dhe e kaloi te trupat inspektuese private të emëruara nga kjo Ministri.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nën drejtimin e Vesel Kransiqit kishte  emëruar dy kompani për kontrollin e cilësisë së naftës: kompaninë e Jakup Gashit dhe kompaninë e Valdet Teneqes.