Rozeta Hajdari mori pjesë në Konferencën e ministrave të Ballkanit Perëndimor në të cilën u diskutua edhe për CEFTA-n
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, ka marrë pjesë në Konferencën e ministrave të Ballkanit Perëndimor, të cilët me 24.09.2024 u mblodhën në Berlin.
Konferenca ka qenë për të shënuar 10 vjetorin e Procesit të Berlinit, e në të cilën konferencë është diskutuar edhe për marrëveshjen e CEFTA-s.
Në komunikatën për media të CEFTA-s, u tha se konferenca u përqendrua në vlerësimin e progresit drejt krijimit të Tregut të Përbashkët Rajonal.
“Mundësitë ekonomike të rajonit, teksa afrohet me integrimin në BE, ishin në qendër të diskutimeve, së bashku me dhjetë marrëveshje të rëndësishme të lehtësimit të tregtisë së CEFTA-s që janë në pritje të miratimit”.
Sipas njoftimit, Drejtoresha në Detyrë e Sekretariatit të CEFTA-s, Danijela Gaseviq, ka theksuar rëndësinë e këtyre vendimeve për arritjen e lirisë së plotë të lëvizjes së mallrave dhe shërbimeve.
“Miratimi i këtyre marrëveshjeve do të jetë një hap i rëndësishëm drejt një Tregu të Përbashkët Rajonal në përputhje me BE-në. Secila prej tyre është një paketë përfitimesh për bizneset dhe konsumatorët që do të na afrojë, jo vetëm me njëri-tjetrin, por edhe me BE-në. Prandaj, është thelbësore që t’i miratojmë sa më shpejt” – është bërë e ditur në komunikatë.
“Aktualisht, dhjetë marrëveshje të tilla janë në pritje të miratimit në fusha të ndryshme: tregtia elektronike, shërbimet e shpërndarjes së pakove, parandalimi i bllokimit të pajustifikuar gjeografik, kualifikimet profesionale, pronësia intelektuale, menaxhimi i rrezikut, shërbimet e agjencive të udhëtimit, sigurimi i motorëve, njohja e operatorëve ekonomikë të autorizuar dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtare”.
KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me ministren Rozeta Hajdari për të kuptuar nëse është diskutuar për paralajmërimet ndaj Kosovës në lidhje me CEFTA-n, por ajo ka qenë e paqasshme.
Konferenca u organizua për të shënuar 10 vjetorin e Procesit të Berlinit, në kohën kur Kosova po kritikohet dhe po paralajmërohet për pasoja në marrëveshjen e CEFTA-s, nëse nuk largohet bllokada për importimin mallrave nga Serbia në Kosovë.
Kosova ka refuzuar ta shfuqizojë ndalesën, duke përmendur shqetësimet e sigurisë.
Por i emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin për BIRN me 23.09.2024, ka thënë se qëndrimi i saj është i papranueshëm.
“Parimi i Komisionit Europian është se ju mund ta bllokoni vetëm veten dhe ne nuk mund të lejojmë që Kosova të mos i lejojë të tjerët të bashkëpunojnë” – ka thënë Sarrazin.
Menjëherë pas vizitës së Sarrazinit në Kosovë më 17 shtator, Anna Luhrmann, ministre shtetërore e Gjermanisë për Europë dhe Klimë, shkroi në X/Twitter: “Ne e nxisim Kosovën ta bëjë të mundshëm zhbllokimin e CEFTA-s dhe ta lejojë avancimin drejt Tregut të Përbashkët Rajonal për t’u sjellë përfitime konkrete qytetarëve në Kosovë”.
Më 5 shtator, ambasadori Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rhode, tha se Sarrazin në vizitën e tij të dytë në Kosovë brenda një harku të shkurtë kohor, e ka nxitur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ta heqë ndalesën e qershorit 2023 për importin e produkteve me prejardhje serbe, për të cilën Sarrazin ka thënë se po bllokon tregtinë e lirë në rajon dhe se po e pengon CEFTA-n.
Në këmbim të heqjes së ndalesës, Kosova më nuk do të përfaqësohej zyrtarisht në CEFTA prej misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, por do ta përfaqësonte veten.
Megjithatë, emri i saj do të shkruhej si Kosovo*, me asteriksin që tregon fusnotën se statusi i Kosovës ende duhet të zgjidhet përfundimisht nën Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke reflektuar refuzimin e Serbisë për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur.
Diplomati gjerman: Kosova rrezikon izolim më të thellë shkaku i ndalesës për importet serbe