Rozeta Hajdari flet për 100 ditëshin, përmend shkarkimin e bordeve

Ministrja në detyrë e MEPTINIS, Rozeta Hajdari ka prezantuar raportin e 100 ditëve të punës për ministrinë që ajo e drejton.

Hajdari ka përmendur shkarkimet e bordeve, dhe punën e bordeve të reja të përkohshme.

“Qeveria ka marrë 12 vendime për shkarkimet e bordeve të ndërmarrjeve publike. Bordet e përkohshme kanë punuar intenzivisht për të shpëtuar ndërmarrjet, ku kanë zvogëluar borxhet dhe shpenzimet”, është shprehur Hajdari.

Ajo ka folur edhe për punën që ministria e ka bërë në luftën kundër COVID-19.

“Kemi punuar ngushtë me bizneset dhe përfaqësuesit e komunitetit biznesit. Me qëllim të ruajtjes së ekonomisë dhe zbatimit të masave të qeverisë, i kemi lëshuar 8 urdhëresa: Për menaxhimin e çmimeve, për mbarëvajtjen e veprimtarive ekonomike, për sigurinë e shërbimeve dhe komunikimeve elektronike e postare, sigurimin e furnizimit me naftë si dhe mbrojtjen e burimeve të ujit”, tha Hajdari në takimin e ministrave të qeverisë Kurti.

Hajdari ka përmendur edhe pranimin e KOSTT në rrjetin evropian ENSO.

“Sa i përket sektorit të Energjisë, kemi punuar dhe lobuar për votim të marrëveshjes së kyçjeve mes operatorëve të Transmisionit dhe Energjisë KOSTT dhe rrjetit evropian ENSO. Marrëveshja do të siguroj pavarësinë energjetike  të Kosovës. Mungesa e pavarësisë së energjisë i ka kushtuar Kosovës 65 milionë euro nga 2008”, tha Hajdari.

Në mes tjerash ajo ka përmendur edhe dy projekte në sektorin e ujit të cilat do të financohen nga kredi të marra nga Banka Botërore.

“MEPTINIS ka përmbyllur dy marrëveshje në sektorin e ujërave me bankën botërore, që i siguron Hidromoravës së Gjilanit, 25.1 milionë euro për ndërtimin e digë dhe infrastrukturën e ujësjellësit dhe të kanalizimit. MEPTINIS i siguron KRU Prishtinës mbi 60 milion euro për ndërtimin e impiantit për ujëra të zeza”, u shprehë ajo.