Rozeta Hajdari e ndërron udhëheqësin e monitorimit të ndërrmarrjëve publike

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari nuk ia ka vazhduar kontratën Shyqeri Musliut, i cili ka qenë udhëheqës i Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, vetë Shyqeri Musliu. Ai ka thënë se mandati i tij ka përfunduar më 19 prill dhe se ai nuk ka pranuar asnjë vendim zyrtar në lidhje me mos-vazhdimin e kontratës.

Po ashtu Musliu ka treguar që infomacionin se ai është zëvendësuar nga dikush tjetër e ka marrë nga punëtorët e tij.

“Po, është e vërtetë, unë hala nuk kam vendim zyrtar. Sot kam marrë vesh prej punëtorëve të mi që ua paskan dërgu një vendim për emërimin e një udhëheqësi tjetër”, ka thënë Musliu për KALLXO.com.

Musliu ka theksuar se ai ka pasur performancë maksimale dhe se nuk e di arsyen pse nuk i është vazhduar mandati.

“Performancën e kam pas me notë maksimale në tri vitet e fundit, nuk e di arsyen, as nuk ka dhonë arsye, as nuk e di për çka”, ka shtuar Musliu.

Tash ish-udhëheqësi i Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, Shyqeri Musliu ka thënë ai nuk është njoftuar për mos-vazhdim të kontratës 30 ditë më herët siç është praktikë të bëhet.

“Sa e di unë të paktën ministrja 30 ditë përpara duhet me të njoftu për mosvazhdim të kontratës e për vazhdim nuk ka nevojë me të njoftu”, ka theksuar Musliu.

Ai ka thënë se do të bëj ankesë sipas bazës ligjore.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me ministren e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, por e njëjta ka thënë se nuk mund të përgjigjet për shkak se është në një mbledhje.

Musliu është emëruar në këtë pozitë më 20 prill 2017.