Rozafa Koliqi - Foto: KALLXO.com

Rozafë Koliqi fiton betejën me UP-në

Pas katër vitesh beteje ligjore me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Rozafa Koliqi ka arritur ta fitojë në shkallë të parë padinë që kishte bërë pasi ishte larguar nga puna në Fakultetin e Mjekësisë.

“Drejtesia erdhi në vend. Rrugëtimi im për drejtësi nuk përfundon me kaq”, ka thënë për KALLXO.com, Rozafa Koliqi Lila.

Përfaqësuesi ligjor i Koliqit nga avokatura “Sejdiu & Qerkini”, Taulant Hajdari ka thënë për KALLXO.com se vendimi i Gjykatës së Prishtinës tregon se ajo e ka realizuar të drejtën e saj përmes rrugës gjyqësore.

“Duke pasur parasysh faktin që kemi raste të shumta të diskriminimeve nga marrëdhënia e punës, ky vendim padyshim që do të shërbejë si precedent pozitiv dhe reflektues dhe në të ardhmen të punohet më shumë ne respektimin e të drejtave të stafit dhe personelit akademik nga ana e institucioneve përkatëse”, tha Hajdari.

Sa i përket pyetjes së nëse UP do të dërgojë vendimin e Gjykatës Themelore në atë të Apelit, ai theksoi se ende nuk kanë pranuar ankesë dhe janë duke pritur afatet ligjore për të ndërmarrë veprimet konkrete.

“UP do duhej të hiqte dorë nga e drejta e ushtrimit të ankesës duke treguar mirëkuptim në shenjë kërkim-faljeje për padrejtësinë që i është bërë  profesoreshës së nderuar znj. Rozafa Koliqi.  Andaj, ne i inkurajojmë të gjithë personat që të ndjekin rrugët ligjore për të realizuar të drejtat e veta, nëse ndaj tyre bëhet diskriminim apo shkelje e të drejtave themelore nga marrëdhënia e punës”, tha më tej Hajdari.

Koliqi kishte paditur Universitetin e Prishtinës në shkurt të vitit 2017 për moszgjedhjen e saj si asistente në lëndët Farmaci Klinike në fakultetin e Mjekësisë në vitin 2015, në kohën kur rektor ishte Marjan Dema.

Koliqi, në vitin 2015 kishte aplikuar për t’u zgjedhur asistente, por Senati i UP-së nuk e kishte përzgjedhur edhe pse i kishte kualifikimet më të mira në krahasim me kundër kandidatin e saj, Naim Morina.

Hetimet për rastin kishin filluar në vitin 2017, kur emisioni ‘Jeta në Kosovë’ kishte transmetuar hulumtimin që hodhi në dritë votimin e senatorëve të Universitetit të Prishtinës për avancime të stafit akademik të Fakultetit të Mjekësisë.

Pas katër viteve, Gjykata e Prishtinës vendosi në favor të saj. Më 24 maj 2021 kjo Gjykatë nxori aktgjykimin më të cilin e detyroi Universitetin e Prishtinës që të anulojë vendimin e datës 20 dhjetor 2016, kur Koliqit i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës.

Përpos anulimit të vendimit, Gjykata ka vendosur që Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” t’i kompensojë Koliqit pagat për periudhën 01.12.2016 deri më 15.10.2018, pra deri në kohën kur ajo nuk ka qenë e angazhuar në UP.

Gjykata me rastin e vendosjes vlerësoj se Koliqi ishte larguar nga UP-ja pa ndonjë procedurë disiplinore dhe sipas vendimit të Gjykatës, asaj i takon kompensimi i pagave pasi ishte larguar në mënyrë të kundërligjshme nga puna.

Në vitin 2017 emisioni ‘Jeta në Kosovë’ kishte transmetuar hulumtimin që hodhi në dritë votimin e senatorëve të Universitetit të Prishtinës për avancime të stafit akademik të Fakultetit të Mjekësisë.

Kallxuesja Rozafë Koliqi, doktor shkence në Farmaci Klinike, në vitin 2015 kishte aplikuar për t’u zgjedhur asistente në lëndën Farmaci Klinike por asaj nuk i doli ashtu siç e kishte menduar.

Koliqi e cila është e vetmja specialiste e Farmacisë Klinike në Kosovë ka treguar se si senati i UP-së nuk e ka përzgjedhur si asistente edhe pse ka pasur kualifikime më të mira se kundër kandidati i saj, Naim Morina.

 

Rozafa Koliqi rrëfen betejën për të drejtën në Universitetin e Prishtinës

.