Rozafa Koliqi - Foto: KALLXO.com

Rozafa Koliqi avancohet në profesoreshë e asociuar

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP) në mbledhjen e sotme ka votuar pro avancimit të Rozafa Koliqit në pozitën e profesoreshës së asociuar në Fakultetin e Mjekësisë.

Në qershor të vitit 2022 KALLXO.com kishte raportuar se Rozafa Koliqi ka fituar padinë ndaj UP-së  bërë pasi ishte larguar nga puna në Fakultetin e Mjekësisë.

Koliqi kishte paditur Universitetin e Prishtinës në shkurt të vitit 2017 për moszgjedhjen e saj si asistente në lëndët Farmaci Klinike në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 2015, në kohën kur rektor ishte Marjan Dema.

Në vitin 2015 Koliqi kishte aplikuar për t’u zgjedhur asistente, por Senati i UP-së nuk e kishte përzgjedhur edhe pse i kishte kualifikimet më të mira në krahasim me kundërkandidatin e saj, Naim Morina.

Hetimet për rastin kishin filluar në vitin 2017, kur emisioni ‘Jeta në Kosovë’ kishte transmetuar hulumtimin që hodhi dritë mbi votimin e senatorëve të Universitetit të Prishtinës për avancime të stafit akademik të Fakultetit të Mjekësisë.

Pas katër viteve, Gjykata e Prishtinës vendosi në favor të saj. Më 24 maj 2021 kjo Gjykatë nxori aktgjykimin më të cilin e detyroi Universitetin e Prishtinës që të anulojë vendimin e datës 20 dhjetor 2016, kur Koliqit i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës.

Përpos anulimit të vendimit, Gjykata ka vendosur që Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” t’i kompensojë Koliqit pagat për periudhën 01.12.2016 deri më 15.10.2018, pra deri në kohën kur ajo nuk ka qenë e angazhuar në UP.

Gjykata me rastin e vendosjes vlerësoi se Koliqi ishte larguar nga UP-ja pa ndonjë procedurë disiplinore dhe sipas vendimit të Gjykatës asaj i takon kompensimi i pagave pasi ishte larguar në mënyrë të kundërligjshme nga puna.