Rozafa Kelmendi emërohet zëdhënëse e Qeverisë

Qeveria e Kosovës nga sot do të ketë dy zëdhënës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Rozafa Kelmendin zëdhënëse të Qeverisë.

Kështu është bërë e ditur nga një komunikatë për media e Zyrës së Kryeministrit.

“Rozafa Kelmendi ka përvojë nëntë vjeçare si gazetare me mediat vendore e ndërkombëtare. Nga viti 2011 ka punuar në projekte të Fondit Global, UNDP-së dhe UN Women. Vitin e kaluar ka punuar si Analiste e Politikave të Drejtësisë Tranzicionale në UN Women, Nju Jork, ku mes tjerash ka koordinuar punën globale për drejtësi tranzicionale të kësaj agjencie. Është autore e disa publikimeve për personat e pagjetur dhe të mbijetuarat/it e dhunës seksuale gjatë luftës. Ka studiuar për Menaxhment dhe Informatikë si dhe Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës”, thuhet në komunikatë.

Zëdhënës ditë më parë u emërua edhe Përparim Kryeziu.

Kryeziu ka qenë zëdhënës edhe i Qeverisë Kurti I.