Roman Abramovich sanksionohet nga Britania e Madhe

Pronari i klubit anglez të futbollit Chelsea, Roman Abramovich, dhe gjashtë oligarkë të tjerë rusë janë sanksionuar nga Britania e Madhe.

Në vendimin për sanksionim bëhet e ditur se do të bëhet ngrirja e aseteve, duke përfshirë klubin e futbollit Chelsea.

Abramovich ka qenë në qendër të kritikave pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, për lidhjet e tij me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Sanksionet vlerësohet të jenë rreth 20 miliardë dollarë, tha Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, shpalli gjendje lufte në vend.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.

Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uverturë për pushtim të plotë.

Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën – gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO – gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial – dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes./REL