'Rolling Film Festival'; Foto: Antigonë Isufi/KALLXO.com

‘Rolling Film Festival’, vë në qendër të vëmendjes paragjykimet anti-rome në Kosovë

Së shpejti do të hapet edicioni i gjashtë i festivalit të filmit kushtuar përvojave dhe përpjekjeve të komunitetit rom në Kosovë.

Nga data 16 deri me 20 prill, rreth 30 filma nga e gjithë Evropa do të shfaqen në festivalin vjetor të Filmit Rolling.

Edicioni i këtij viti do të transmetohet në formatin ‘online’ për shkak të parandalimit të përhapjes së pandemisë.

Të martën, Avni Mustafa, drejtor i OJQ-së për arsimin e të rinjve ‘Roma Versitas Kosova’ dhe gjithashtu drejtor i Festivalit Rolling, tha se kultura rome po vazhdon të lihet pas dore në Kosovë dhe se festivali po përpiqet të luajë rol në kundërshtimin e kësaj neglizhence.

“Nuk ka shumë promovim të kulturës dhe trashëgimisë rome në kulturën e Kosovës”, tha Mustafa.

Drejtori artistik i festivalit, Sami Mustafa tha se përmes filmave shpresojnë të zvogëlojnë diskriminimin shoqëror ndaj komunitetit rom, i cili është i përhapur në masë të madhe. Ai tha se arti i tillë ka pasur ndikim për të luftimin e paragjykimeve anti-gjipsizëm në Kosovë.

“Ka pas pak ngjarje në Kosovë që kanë trajtuar temat për disiplinën artistike, të drejtat e njeriut dhe antigjipsizmit me të cilat ndeshet komuniteti rom”, tha Mustafa.

“Për fat të keq, romët janë grupi më i margjinalizuar dhe i diskriminuar në Kosovë dhe përballen me shumë pengesa të tilla si gjuha e urrejtjes, mungesa e punësimit dhe mungesa e qasjes në shërbimet sociale”, tha ai.

Duke folur për programin e edicionit të këtij viti, Mustafa tha se përkundër vështirësive në organizimin e festivalit për shkak të krizës shëndetësore, do të ketë një edicion të pasur me pesë filma të shfaqur çdo ditë.

“Ne jemi në fund të lansimit të platformave përmes të cilave do të shfaqen filmat dhe audienca do të ketë mundësinë të zgjedhë se cilët filma do të shikojë”, shtoi ai.

Filmi i cili do të hap festivalin është filmi nga Loreta Berbatovci nga Kosova, ndërsa filma të tjerë nga Hungaria, Gjermania dhe vendet e tjera do të shfaqen gjatë katër ditëve të festivalit.

Së bashku me filmat pjesë e programit do të jenë 15 animacione nga të rinjtë e të gjitha komuniteteve në Kosovë.