Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde

Rohde: Aktualisht nuk bëhet fjalë për hapjen e urës mbi lumin Ibër

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka ripërsëritur qëndrimin e shtetit gjerman për hapjen e Urës mbi lumin Ibër.

Ambasadori Rohde tha se situata aktuale e sigurisë nuk është në favor të hapjes së kësaj ure, ani pse ka një marrëveshje të arritur kohë më parë për këtë. Ai po ashtu ka thënë se ka rrezik për tensione, nëse ura hapet.

“Ne kemi qenë shumë të qartë me Qeverinë e Kosovës, natyrisht, ne kemi të njëjtat qëllime si ato të qeverisë, që të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të zbatohen. Dhe, ka edhe një vendim nga këto marrëveshje që duhet zbatuar, është marrëveshja e arritur për hapjen e urës mbi lumin Ibër. Por, koha nuk është tani, e dini, ka rrezik për tensione atje”, tha ai, raporton RTKlive.

Ambasadori gjerman, shtoi se duhen konsultime mes qeverisë së Kosovës dhe Perëndimit dhe se ura e Ibrit mund të hapet vetëm atëherë kur vlerësohet se ka siguri për të ndodhë kjo gjë.

“Tani duhet të ketë një proces, duhet të ketë konsultime, por për momentin nuk bëhet fjalë për hapje. Këtë ia kemi komunikuar qeverisë. Për mua është e qartë se ura duhet të hapet por kemi nevojë për dialog mes qeverisë me Perëndimin, vlerësimi i situatës së sigurisë aktualisht e bënë të qartë se nuk është momenti për të hapur urën. Për sa kohë mendojmë se nuk është momenti i duhur për t’u hapur ura, duhet të qëndrojmë në situatën aktuale”, nënvizoi ai.

Hapja e Urës së Ibrit po synohet nga Qeveria e Kosovës, mirëpo është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë KFOR-in, e cila insiston se kjo temë duhet të diskutohet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidentja Osmani ka kundërshtuar fuqishëm idenë e diskutimit të kësaj teme në dialog, sepse sipas saj kjo është antikushtetuese dhe kundër sovranitetit të Kosovës.

“Nuk kemi çka e pyesim Serbinë … Nuk ka çka pyetet Serbia për një urë që është brenda territorit të Kosovës”- ka thënë Osmani më 15.08.2024.

Bashkimi Europian ka planifikuar që ta vendosë “statusin” e Urës së Ibrit në agjendën e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi

Ndërkaq, Ambasadori i ShBA-ve, Jeffery Hovenier ka deklaruar më 13.08.2024 se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, më 14.08.2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër askujt “e aq më pak kundër partnerëve ndërkombëtarë” për çka edhe shtoi se janë duke vazhduar koordinimin për këtë çështje.

Ministria e Infrastrukturës në orët e mbrëmjes së 13.08.2024 ka publikuar raportin që thotë se Ura e Ibrit është mjaftueshëm stabile për qarkullimin e veturave – gjë që u hap rrugë autoriteteve kosovare që ta hapin urën, ashtu siç po mëtojnë javët e fundit.

Raporti është përpiluar nga kompania “IPE-PROING”, e cila ka bërë matjet dhe testimet me mauna mbi Urë.

Riaktualizimi i temës së hapjes të Urës së Ibrit u bë që nga 31.05.2024, kur asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e Urës së Ibrit.

Vendimi për hapjen e urës është marrë në prill të vitit 2023, por nuk janë marrë asnjëherë hapa drejt zbatimit të tij.

Kjo urë ka një sërë historish për vite me radhë. Rivitalizimi 1.5 milionësh ishte përfunduar nga Bashkimi Europian më 2018.