Robert O'Brien emërohet këshilltar i ri i sigurisë kombëtare nga Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump ka emëruar këshilltarin e ri të Sigurisë Kombëtare për të zëvendësuar John Bolton, i cili u shkarkua javën e kaluar, raporton BBC.

Robert C O’Brien, i cili ka shërbyer si i dërguari special për punët e pengjeve në Departamentin e Shtetit, është zgjedhur në këtë pozitë.

O’Brien do të jetë këshilltari i katërt i sigurisë kombëtare në presidencën Trump.

Ai më parë shërbeu nën administrimin e George W. Bush dhe Barack Obama.

Kjo pozitë nuk kërkon konfirmim nga Kongresi.

O’Brien shërbeu si major në Rezervën e Ushtrisë amerikane. Ish-presidenti Bush e emëroi atë në vitin 2005 për të shërbyer si përfaqësues në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Derisa ishte në OKB, ai punoi me Bolton, i cili në atë kohë ishte ambasador.

“Unë kam punuar gjatë dhe shumë me Robertin. Ai do të bëjë një punë të shkëlqyeshme!”, tha Trump derisa njoftoi për emërimin e O’Brien.

Nën ish-sekretarët e shtetit, Condoleezza Rice dhe Hillary Clinton, O’Brien shërbeu gjithashtu si bashkë-kryetar i Partneritetit Publiko-Privat të departamentit të shtetit për Reformën në Drejtësi në Afganistan.