Foto: RLIOF

RLIOF, mbrëmje operistike kushtuar Nexhmije Pagarushës

Një mbrëmje operistike është mbajtur të martën (26.07.2022) kushtuar këngëtares Nexhmije Pagarusha, në kuadër të festivalit të operës, “Rame Lahaj International Opera Festival”.

Këngëtarët e operas nga Kosova dhe Shqipëria: Arta Jashari, soprano, Mirlinda Koci- soprano, Zana Abazi- Ramadani, soprano, Klodjan Kaçani, tenor, Armand Likaj, baritone e Granit Musliu, tenor, të përcjell nga pianisti Mennan Bërveniku, interpretuan veprat të kompozitorëve shqiptarë, si: Preng  Jakova, Çeshk Zadeja, Rauf Dhomi, Tonin Arapi, Avni Mula, etj.

Përveç nderimit për Nexhmije Pagarushën, koncerti “Nexhmije Pagarusha” tregoi edhe për nevojën e organizimeve të tilla operistike, duke pasur parsysh reagimin e publikut që kishte mbushur Sallën e Bibliotekës  Universitare, ku u mbajt koncerti.

Kompozitori Memli Kelmendi, tha për KALLXo.com, se koncerte të tilla i mungojnë skenës kosovare.

Sipas tij, RLIOF është një mundësi e mirë për artistët tanë për të përsosur teknikat e reja artistike, por edhe mundësi bashkëpunimi për ta.

“Ne kemi një muzikë të bukur dhe ajo që i mungon është promovimi i artistëve tanë dhe ky festival e ka fokus këtë çështje”, tha ai.

Ndërsa, sopranoja Arta Jashari tha pas koncertit se është ndjerë e nderuar që ishte pjesë e koncertit kushtuar Nexhmije Pagarushës.

“Ishte një rrugëtim i veçantë për mua, një mbrëmje e mrekullueshme, ne jemi rritur me këngët e Nexhmije Pagarushës”, tha sopranoja Jashari.

Gjatë këtij koncerti sopranoja Jashari interpretoi vepra të Zadesë, Jakovës e E. Sina.

Një mbrëmje të mrekullueshme në natën e djeshme ka përjetuar edhe baritoni nga Shqipëria, Armand Likaj.

Para publikut ai ka interpretuar vepra të Çobës, Çesk Zhadesë, Prenk Jakovës e Rauf Dhomit.

“Është e mrekullueshme të interpretosh në një festival të tillë duke marrë parasysh gjithë këtë punë të madhe këtu. Ishte kënaqësi të prezantohem përkrah kolegëve të mijë, por edhe një publiku të mrekullueshëm”, tha ai.

Festivali RLIOF po mban edicion e dytë të tij në Prishtinë. Përveç, të dielës (24.07.2022) së shkuar ku pati një alarm të rremë për bombë, që shty për disa minuta koncertin “Opera Night”, sipas organizatorëve gjithçka ka shkuar sipas planifikimeve.

Ndërsa interesimi i publiku për të ndjekur festivali ka qenë i kënaqshëm.

“Interesimi i publikut për të ndjekur koncertet e festivali është i kënaqshëm. Interesim më të madhe është treguar për koncertin e parë dhe koncertin për Nexhmije Pagarushën”, ka thënë për KALLXo.com Arbër Selmani, zëdhënës i RLIOF.

Koncerti i radhë në kuadër të këtij festival “New Generation” mbahet sonte në Bibliotekën Universitare, ndërsa Gala koncerti, “Rame Lahaj & Friends” mbahet më 31 korrik. Me këtë koncert edhe mbyllet edicioni i dytë i RLIOF.

Pamje nga koncerti ‘Nexhmije Oagarusha’. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga koncerti ‘Nexhmije Oagarusha’. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga koncerti ‘Nexhmije Oagarusha’. Foto: KALLXO.com.