Rizvanolli tregon se sa parashihet të jetë importi i energjisë nga tetori deri në mars

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i ka bërë disa pyetje ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në lidhje me prodhimin dhe importin e energjisë.

Ai ka kërkuar të dijë nga ministrja Rizvanolli se sa pritet të jetë prodhimi i energjisë nga KEK-u gjatë dimrit, sa duhet të importohet energji për ta plotësuar kërkesën vendore, sa buxhet duhet ndahet përafërsisht për importin e energjisë.

“Sa pritet të jetë prodhimi i energjisë nga KEK gjatë dimrit, sa duhet të importohet energji për ta plotësuar kërkesën vendore, sa buxhet duhet ndahet përafërsisht për import të energjisë, a mund të lidhen kontrata qysh tani. Sa i kemi dhënë energji Shqipërisë dhe sa mund të presim që të mund ta kthejmë këtë energji gjatë muajve të dimrit. Sa buxhet duhet ndarë për kompanitë e energjisë në mënyrë që rritja e faturave të energjisë të jetë e përballueshme për familjet. Sa buxhet duhet ndarë për familjet në asistencë sociale” – ishin disa nga pyetjet e Hotit.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se prodhimi i energjisë elektrike nga KEK-u dhe burimet e ripërtërishme të energjisë për periudhën tetor 2022 deri në mars 2023, pritet të jetë rreth 3.2 milionë megavatë për orë.

Sipas Rizvanollit, gjatë muajit tetor në operim do të jenë dy blloqet e Termocentralit Kosova B dhe një i Termocentralit Kosova A. Ndërsa sipas saj, nga nëntori pritet të jenë në operim dy blloqe të A-së dhe dy blloqe të B-së.

“Me futjen në operim të njësisë A5 do të ketë më shumë energji në dispozicion, mirëpo për shkak të vjetërsisë së këtyre njësive të të dyja termocentraleve sigurisht që siguria dhe besueshmëria e këtyre njësive nuk është në nivelin që do të donim. Sa i përket importit, vlerësohet që në periudhën tetor 2022 deri në mars 2023, në skenarin e furnizimit 2A dhe 2B dhe kohë pas kohe 3A parashihet që të jetë rreth 722 megavatë orë. Ndërsa sa i përket vlerës, nëse supozojmë që çmimi i importit të jetë 500 megavatë orë atëherë kosto e importit për këtë periudhë do të ishte rreth 350 milionë euro” – tha Rizvanolli.

Sa i përket këmbimit të energjisë me Shqipërinë, Rizvanolli tha se më shumë deponojnë në Shqipëri gjatë verës kur kanë tepricë.

Deri më tani sipas saj, nga Korporata Energjetike e Kosovës në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare janë deponuar 138 mijë e 888 megavat orë dhe kjo mund të vazhdoj të rritet.

“Sa i përket çmimit, tarifave sigurisht që e kemi parasysh që kjo nuk është kompetencë e ministrisë e qeverisë. Nëse do të ketë shqyrtim të jashtëzakonshëm do t’i presim rezultatet dhe do t’i marrim masat sipas nevojës për t’i mbrojtur konsumatorët” – shtoi ajo.

Rizvanolli ka njoftuar se Qeveria ka ndarë 4.4 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike.