Rizvanolli thotë se çmimi i energjisë në tregjet ndërkombëtare pritet të rritet

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se çmimi i energjisë në tregjet ndërkombëtare pritet të rritet ditëve në vazhdim.

Duke raportuar në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rizvanolli tha se në dy javët e fundit ka pasur ulje të çmimit të energjisë, për shkak të motit të mirë në Evropë.

“Pritet që sigurisht temperaturat të bijnë dhe konsumi të rritet edhe më tej, derisa çmimet e importit, megjithëse gjatë dy javëve të fundit përafërsisht kemi parë ulje të çmimeve në tregun evropian, si rrjedhojë e uljes së kërkesës për shkak të motit të mirë në Evropë. Mirëpo kjo pritet të jetë e përkohshme dhe pritet që çmimet të vazhdojnë të ngritën” – tha Rizvanolli.

Ajo bëri të ditur se gjatë muajve të verës Kosova ka pasur raste kur ka paguar 500 deri në 1 mijë euro për megavat për orë, pasi që kapacitetet prodhuese nuk kanë plotësuar kërkesat.

“Siç e dini gjatë verës disa njësi prodhuese kanë qenë në remont, kapacitetet prodhuese nuk kanë mundur të mbulojnë kërkesat, e që çmimi ka arritur deri në 500 dhe 1 mijë euro gjatë verës, Qeveria ka shpallur masat e gjendjes emergjente” – deklaroi Rizvanolli.

“Tash kemi kërkuar shtyrjen për periudhë 30 ditore të këtyre masave, duke qenë që situata nuk pritet të lehtësohet, por të vështirësohet gjatë ditëve të dimrit”.

Në ndërkohë, Komisioni për Ekonomi ka miratuar kërkesën e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli që masat emergjente për furnizim me energji të shtyhen edhe për 30 ditë.

Kërkesa do procedohet për në seancë të Kuvendit më 8 nëntor.

Komisioni për Ekonomi miraton kërkesën që masat emergjente për energji të shtyhen edhe për 30 ditë