Rizvanolli: Subvencionimi i energjisë nuk i shkon KEDS-it, por mbulon faturat e qytetarëve

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se shuma prej 75 milionë euro që Qeveria e Kosovës ka ndarë për subvencionimin e çmimit të energjisë elektrike, nuk i shkon KEDS-it si fitim, por mbulon faturat e qytetarëve.

Sipas saj, me këtë shumë të ndarë do të subvencionohen vetëm konsumatorët dhe bizneset.

“Ka shumë mënyra si mund të bëhet, por është me rëndësi që do të subvencionohen konsumatorët dhe bizneset. Në rast se keni dëgjuar se do të subvencionohen ndonjë kompani, kjo nuk është e saktë. Asnjë cent nuk i shkon KEDS ose KESCO. Subvencioni shkon për të mbuluar faturat e qytetarëve dhe jo si fitim apo asnjë formë në xhepin e ndonjë kompanie”, tha Rizvanolli.

Ministrja tha se shuma prej 75 milionë euro është parashikuar për gjithë vitin.

“Është i paraparë që të mbulojë periudhën në krejt vitin. Nën supozimin qe prodhimi i KEK-ut, në mënyrën se si lëvizin çmimet dhe duke supozuar atë që KEK ka paraqitur, se sa planifikon të prodhojë në periudha të caktuara të vitit. Varet, ndoshta do të ketë nevojë edhe për subvencionim shtesë”, tha Rizvanolli.

Rizvanolli gjithashtu bëri të ditur se nëse nuk kthehet në funksion blloku B2 i KEK-ut, nevoja për subvencionim në muajin janar, do të rritet.

“Sipas informative që kam, raporti dhe këto kalkulime janë bërë sipas parashikimet nga vetë KEK-u, të cilët kanë paraparë që kthimi i bllokut B2 të bëhet me 21 janar. Jemi duke folur për një dallim shumë të madh. Për ilustrim, llogaritet që gjatë kësaj periudhe të mbetur, deri në fund të janarit, nevoja për subvencion do të jetë 5 milionë euro nëse kthehet B2 dhe kjo katërfishohet bëhet 20 milionë, nëse nuk kthehet blloku B2. Vlerësimi është bërë duke supozuar që kthehet blloku B2”, ka përfunduar Rizvanolli.