Rizvanolli: Rezervat e energjisë do t’i kursejnë Kosovës minimum 15 milionë euro në vit

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njëkohësisht nënshkruese e kontratës për energjinë me Korportatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), ka njoftuar se sipas kalkulimeve preliminare të MCC-së, ky program do t’i kursejë sistemit elektroenergjetik të Kosovës minimum 15 milionë euro në vit.

Ministrja Rizvanolli në një konferencë për media bashkë me kryeministrin Albin Kurti, ka shtuar se zbatimi i projektit zyrtarisht fillon 18 deri në 24 muaj pas ratifikimit.

“Përdorimi i baterisë do të ndikojë në një masë në uljen e importit të shtrenjtë. Një kalkulim preliminar i MCC-së është që rezervat e energjisë do t’i kursejnë sistemit elektroenergjetik të Kosovës minimum 15 milionë euro në vit, kjo vlerë parashihet të jetë edhe më e madhe kur rriten çmimet e energjisë, siç po ndodhë këto ditë”, ka deklaruar ministrja Rizvanolli në konferencën e përbashkët me kryeministrin Albin Kurti.

“Puna nuk do të fillojë menjëherë, gjatë 18 muajve në vijim do të krijohen parakushte, do të bëhen analiza shtesë, lokacioni për bateritë veçse është caktuar, do të vazhdojë puna në parapërgatitjet për zhvillimin e programeve të trajnimeve, do të selektohet institucioni partner. Me fillimin e zbatimit të projektit, mund të fillojë prokurimi i baterive, po flasim për 2-3 vjet deri në kohën kur t’i kemi bateritë e instaluara”, tha ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria është zotuar t’i ndajë 34.7 milionë dollarë në formë të bashkëfinancimit të marrëveshjes me MCC, duke thënë se vlera totale shkon në 236.7 milionë dollarë.

Kurti në një konferencë për media të thirrur lidhur me nënshkrimin e Marrëveshjes me MCC-në për Programin Kompakt, tha se ky grant i ShBA-së është më i madhi në histori të Kosovës. Ai për këtë ia ka dhënë meritat qeverisjes së tij në “sundim të ligjit”.

“Në Uashington D.C nënshkruam marrëveshjen me të cilën ShBA përmes MCC janë pajtuar që ti japin Kosovës grant 202 milionë dollarë. Ky është granti më i madh i njëhershëm në histori të Kosovës të çliruar. Qeveria e Kosovës është zotuar se do ta mbështes programin me 34.7 milionë dollarë e si bashkëfinancim duke e çuar vlerën totale në 236.7 milionë dollarë”, tha Kurti.

Sipas tij, investimet e programit kompakt do të jenë pronë e Kosovës dhe se do t’i përfshijë tri projekte.

“E para është rezerva dhe arbitrazh të energjisë apo bateritë me kapacitet 340 megavat, e dyta është zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektorin e energjisë dhe e treta është projekti i institucionit amerikan të katalizatorit për zhvillim”, ka thënë kryeministri Kurti.

“Këto tri projekte do të ulin nevojën për blerjen e shërbimeve rregulluese, do të ulin koston e importit të energjisë dhe do të përshpejtojnë kyçjen e burimeve të ripërtritshme në rrjet. Paralelisht zhvillohen kuadro profesionale në fushën e energjisë dhe nxisin investime në sektorin privat. Andaj është bërë një hap i madh në sektorin e energjisë, por gjithashtu edhe atë të ekonomisë”, shtoi ai.