Rizvanolli: Propozimi i ZRrE-së për rritjen e çmimit të rrymës nuk është final

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se propozimi i fundit i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë, nuk është final.

Gjatë konferencës për media bashkë me kryeministrin Kurti, Rizvanolli tha se shuma prej 75 milionë euro, e ndarë nga Qeveria për subvencionim, do ta zbusë tarifën.

“Tarifa e lartë do të jetë 14 centë, ndërsa tarifa e ulët 6 centë, me subvencionimin e Qeverisë. Qeveria nuk ka përgjegjësi tek ZRrE-ja dhe ndërhyrja është e jashtëligjshme”, tha ajo para gazetarëve.

Ndërsa kryeministri Kurti bëri një krahasim, në mes të asaj sa prodhon dhe sa shpenzon Kosova energji elektrike.

“Dje në ora 23:00 ka qenë konsumi maksimal, ndërsa ai minimal në ora 05:00 të mëngjesit. 1 mijë e 138 megavat i kemi konsumuar, ndërsa kemi prodhuar 728 megavat. Është dallim shumë i madh në mes të konsumit dhe prodhimit”, tha Kurti.

Sipas tij, vetëm dje Kosova ka konsumuar import të energjisë elektrike rreth 2.3 milionë euro.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh është dyfishuar. Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 cent për kilovat është shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ultë apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 cent është shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%.