Rizvanolli: Projektet në eficiencë të energjisë prioritet për vitet e ardhshme, për energjinë në veri kërkon të diskutohet jashtë kamerave

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli  në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti raportoi për punën e ministrisë për vitin 2021, e po ashtu edhe për planin e punës për vitin 2022.

Sipas saj, me ndarjen e 42 milionë eurove është menduar të dilet në pranverë shkaku i krizës energjetike.

Vendim tjetër si shkak i krizës energjetike, Rizvanolli tha se ka qenë edhe ndalja e prodhimit të kriptovalutave, që sipas saj shpenzonin shumë energji elektrike.

Ministrja përmendi edhe shumë projekte që u nisën në vitin 2021 e do vazhdojnë edhe në vitin 2022.

Ajo tha se sa i përket masave të eficiencës së energjisë, në vitin 2021 janë futur 30 objekte në proces të masave të eficiencës, kurse për vitin 2022 janë në plan edhe 14 objekte.

Sipas saj, ka pasur edhe auditime energjetike të objekteve shëndetësore dhe arsimore në tre komuna, tjerat do vazhdojnë edhe gjatë këtij viti.

Rizvanolli përmendi edhe investimet e MCC-së në ndërtesa shumëkatëshe dhe 250 shtëpi individuale në eficiencë të energjisë përmes paneleve fotovoltaike në viitn 2021.

Sa i përket sektorit të minierave, Rizvanolli tha se Draft plani për vitin 2021/23 dhe analiza e gjendjes në Trepëe, është ndihmuar në kalim të problemeve financiare më shumë se viteve të kaluara.

Kurse për sektorin e IT-së, ministrja Artane Rizvanolli tha se këtë vit për herë të parë në Kosovë, samiti digjital i gjashtë vendeve të Ballkanit do mbahet në Kosovë në javën e fundit të shtatorit.

Sa i përket ndërmarrjeve, Rizvanolli tha se këtë vit do punohet në kornizën ligjore, ajo shtoi se është rritur transparenca dhe llogaridhënia tek ministria prej anës së NP-ve.

Ministrja  tutje potencoi se nga IPA 2022 janë vlerësuar pozitivisht nga BE disa projekte në vlerë 42 milionë euro në bashkë investim me KEK-un. Me fokus impianti fotovolatik i KEK-ut, park solar me 100 mgv në pronësi të KEK për prodhim të energjisë.

Ferat Shala kryetar i komisionit tha se KOSTT ka borgje mbi 13 milionë euro, derisa edhe ndërmarrja Trepça e ka përmbyll vitin me 13 milionë euro humbje.

“Trepça e ka përmbyll vitin 2021 me 13 milionë euro humbje. Ka rritje në prodhim, por menaxhimi nuk është në nivelin e dëshiruar. Tek ndërmarrjet, situata  financiare e KOSTT ka borgje mbi 13 milionë euro dhe ka obligime të jashtëzakonshme dhe mbulimet në veri. Ata kanë dërguar shumë shkresa në qeveri. Me këtë relacion KOSTT rrezikon situatën e brendshme financiare”, ka thënë Shala.

Në një replikë Rizvanolli tha se ngritja e çmimit të metalit ka ndihmuar Trepçën, por e ka goditur rritja e cmimit të energjisë.

“Sa i përket Trepçës është fakt që ngritja e çmimit të metalit në bursa ka qenë një ndihmë për Trepçën, por ka qenë e goditur nga rritja e çmimit të energjisë. Situata aty me vite është e rëndë. Shitja e mbetjeve të bëhet në procedura të rregullta e jo me keqpërdorime”, shtoi ajo.

Lidhur me çështjen e veriut, Rizvanolli kërkoi që ky raportim të bëhet pa prezencë të kamerave për shkak te ndjeshmërisë politike.

“Çështjen veriut do e diskutoja pa prezencë të kamerave për shkak të ndjeshmërisë politike. Sa i përket gjendjes së KOSTT ne kemi marr shkesat dhe jemi në kontakt të vazhdueshme me ta”, tha Rizvanolli.