Rizvanolli prezanton masat për subvencionim të energjisë për rreth 10 mijë familje

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se 6 milionë euro është vlera për subvencionimin e pajisjeve ekonomike të efiçiencës.

Sipas Rizvanollit, thirrja është për pajisjet: pompë termike, pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë (kondicioner) kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket) dhe stufë individuale me biomasë.

Ministrja Rizvanolli deklaroi se përmes kësaj thirrje do të përfitojnë rreth 10 mijë familje. Ndërkaq kursimi nga këto masat për këtë dimër do të jetë 12 milionë euro.

“Nga sot kemi hapur thirrje për subvencionim të paisjeve efiqente ekonomike për ngrohje për qytetarët në vlerë prej 6 milionë euro. Pajisjet që do të subvencionohen janë kaldarët me biomasë – dru, peletë, briketë – që do të subvencionohen në masë deri në 70 për qind të vlerës së invesimit ose deri në 1200 euro, pompat termike që ulin shpenzimin deri në 70% të konsumit të energjisë do të subvencionohen 30% deri në 2500 euro, kondicionerët efiçentë do të subvencionohen me 40% të vlerës apo 400 euro, stufat indivudale efiçente me biomasë, dru, për familjet me skemë sociale do të subvencionohet me 90% apo 560 euro. Për të tjerët 70% apo 435 euro”- ka thënë Rizvanolli.

“Subvencionimi i efiçiencës së energjisë ju mundëson qytetarëve të blejnë pajisje me nivel të lartë të efiçiencës, që ndikon direkt në; reduktimin e kërkesës për energji, energji elektrike dhe rritjen e ndërgjegjësimit të konsumatorëve për nevojën e kursimit të energjisë” – tha ministrja Rizvanolli.

Ajo tha se pret që të ulet për 70 për qind konsumi i energjisë elektrike nga familjet që do të subvencionohen.

Aplikimi, sipas ministres do të bëhet përmes platformës E-Kosova.