Rizvanolli për grantin 200 milionësh të MCC-së: Negociatat do vazhdojnë në muajin maj

Ministrja e Ekonomisë sot raportoi në Komisionin për Ekonomi, Industri dhe Tregti ku foli për punën e ministrisë që drejton gjatë vitit 2021 dhe planet për vitin 2022.

Deputeti i AAK-së Pal Lekaj kërkoi të dijë më shumë lidhur me raportimet se fondi i MCC për gazsjellësin tashmë nga 200 milionë ka rënë në 120 milionë euro.

“Sa i përket grantit të gazsjellësit e përmendet studimin e fizibilitetit nga MCC, ne e dimë që i kemi pasur të ofruara 200 milionë euro dhe sa kam informacione tani 80 milionë janë larguar dhe kanë mbetur 120 milionë. A do vazhdojë ky studim”, ka pyetur Lekaj.

Lidhur me këtë, ministrja Rizvanolli tha se nuk është e vërtetë, ajo shtoi se negociatat do vazhdojnë në muajin maj për 200 milionë euro nga MCC dhe një përqindje nga qeveria e Kosovës.

“Sa i përket projektit të MCC-së, është hera e dytë që po përmendet kjo, fillimisht dikush prej deputetëve në kuvend ka thënë se granti ka qenë 200 milionë dhe tani janë 120 milionë. Kjo nuk është e saktë”, ka thënë Rizvanolli.

“Kur kemi qenë duke diskutuar për projektin që lidhet me infrastrukturën ndërlidhëse për gazsjellësin në vitin e kaluar, granti ka qenë 190 milionë euro, aktualisht jemi në negociata për 200 milionë euro për komplet grantin plus një mundësi që 15% e projektit total të merret grant për zhvillim të projekteve të energjisë së ripërtëritshme. Negociatat për këtë do vazhdojnë në fillim të muajit maj dhe shpresoj që në gusht ose shtator të vijë në Kuvend për ratifikim”, ka shtuar Rizvanolli.

Sa i përket subvencionimit të qytetarëve për tarifat e energjisë,  ministrja potencoi se dizajnimi i subvencionimit veç e veç tek qytetarët merr shumë kohë, andaj subvencionimi do bëhet direkt në tarifa.