Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në Forumin e Energjisë së Evropës Juglindore në Greqi, Foto: ME/Facebook

Rizvanolli në Greqi: Lëndët e para s'mund të sigurohen duke forcuar regjime autokratike e destabilizuese

Në Forumin e Energjisë së Evropës Juglindore (SEEF 2024), që po mbahet në Selanik të Greqisë, Kosova është përfaqësuar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Ekonomisë, në Forumin e Energjisë së Evropës Juglindore kanë marrë pjesë ministra të vendeve të rajonit dhe përfaqësues nga Departamenti i Energjisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku janë diskutuar tema të ndryshme për të ardhmen e energjisë në rajon, përballja me krizat energjetike, orientimin drejtë energjisë së gjelbër dhe burimeve tjera energjetike të ripërtërishme.

Me këtë rast, nga Ministria e Ekonomisë kanë treguar se ministrja Rizvanolli ka qenë pjesë e një paneli të Forumit të Energjisë, ku ka diskutuar me homologët e saj nga Greqia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Rumania.

“Ministrja Rizvanolli ka qenë pjesë e panelit ministror ‘Bashkëpunimi energjetik në Evropën Juglindore dhe rajoni Mesdheut Lindor: Një kthim për sigurinë e energjisë në BE’, ku së bashku me homologët e saj nga Greqia, Theodore Skylakakis, Maqedonia e Veriut, Sanja Bozhinovska, atë të Bullgarisë, Vladimir Malinov dhe ministrin rumun, Sebastian Burduja, kanë diskutuar për bashkëpunimin energjetik në rajon” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë, më 06.09.2024.

Tutje, thuhet se ministrja Rizvanolli ka folur për sigurimin e lëndës së parë, litiumin.

“Me këtë rast mes tjerash, Ministrja Rizvanolli ka theksuar se lëndët e para si Litiumi, nuk mund të sigurohen duke forcuar regjime autokratike me tendenca për destabilizimin e rajonit. Po ashtu, ajo ka vlerësuar se bashkëpunimi me partnerë me të cilët i ndajmë vlerat është tejet i rëndësishëm për sigurinë e energjisë të rajonit” – njofton Ministria e Ekonomisë.

Diskutimi i ministres Rizvanolli për sigurimin e lëndës së parë, litiumit, vjen pasi mijëra persona protestuan në Beograd, më 10.08.2024, për t’i kundërshtuar planet për mihje të një miniere të litiumit në Serbi, dhe më pas kanë bllokuar dy stacione hekurudhore.

Ambientalistët, në anën tjetër, dhe një pjesë e publikut, besojnë se pasojat janë të pakthyeshme për ambientin.

Kompania ‘Rio Tinto’ e ka zbuluar më 2004, një kombinim të litiumit dhe borit, në perëndim të Serbisë. Rezervat e këtij metali në Serbi vlerësohet se shkojnë në 158 milionë tonë.

Litiumi përdoret për të prodhuar bateri të telefonave mobilë, kompjuterëve dhe makinave elektrike.

Protesta e organizuar prej Aleancës së Organizatave për Ambientin e Serbisë u mbajt pasi Qeveria e Serbisë nuk e ka përmbushur kërkesën e protestuesve për të miratuar një ligj brenda 40 ditësh, që ndalon mihjen e litiumit dhe hapjen e minierave në luginën e lumit Jadar, në perëndim të Serbisë.

Më 11.07.2024, Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ka rrëzuar vendimin e Qeverisë paraprake serbe, e cila e ka pezulluar projektin “Jadar”, të kompanisë australiane “Rio Tinto”, më 2022.

Megjithatë, Qeveria e udhëhequr prej ish-kryeministres, Ana Bërnabiq, e pati ndalur punën në këtë projekt, pas protestave masive, dhe pati pezulluar licencën për Rio Tinton.

Por, zyrtarët serbë e kanë rikthyer projektin sërish në jetë.