Artane Rizvanolli,KEK Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Rizvanolli: Kosova ka të deponuara në Shqipëri 70 gigavat orë energji

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka treguar për opsionet që ka Kosova për të importuar energji elektrike në rast të keqësimit të gjendjes.

Në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë, Rizvanolli, tha që për periudhën kritike Kosovës i duhen 300 gigavat import.

“Kur po them pritet të rriten çmimet, po flas për bursat çmimet në bursat ndërkombëtare për çmimet të importit, nuk po flas për tarifat e energjisë së dyta. Ne kemi disa parashikime, për periudhën janar-mars kemi paraparë që do të na nevojiten 300 gigavat orë import. Mirëpo nga ana tjetër, përgjatë kësaj periudhe jemi duke e konsideruar edhe energjinë e deponuar në Shqipëri.  Atyi kemi të deponuara 70 gigavat orë” – tha ministrja Rizvanolli.

“Në rast të mos përmbushjes së kërkesave për energji elektrike në vend, KEK mund të importoj 185 gigavat shtesë sipas nevojës dhe analizave të ekspertëve. Të gjitha masat janë marrë në rast të përkeqësimit të situatës” – shtoi ajo.

Ndërsa e pyetur nëse do të merren masa nga KEK për shkak të mosfunksionimit të bllokut A5 në këtë periudhë kritike, Rizvanolli tha që kjo i takon bordit.

“Në verë të vitit të kaluar, ka pasur një proces të prokurimit i cili ka dështuar për shkak se asnjë kompani nuk ka aplikuar, pastaj është rishpallur tenderi dhe janë nënshkruar disa kontrata, një pritet të nënshkruhet gjatë javës që vjen, arsyet për mënyrën sesi kanë rrjedhur ngjarjet janë diçka që KEK mund të flas, ndërsa sa i përket masave eventuale dhe vlerësimit të performanës së menaxhmentit kjo është detyrë e bordit te KEK”, – tha në mes tjerash ajo.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar masat emergjente për furnizim me energji elektrike, që ndër të tjera ndalohet përdorimi i rrymës për kriptovaluta.

Ndërsa dy ditë më parë, përmes një video mesazhi, kanë bërë thirrje për kursimin e energjisë, duke thënë se dy muajt e ardhshëm janë kritik.