Rizvanolli i përgjigjet Gashit për ditët e zgjatjes së masave emergjente për energjinë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli është përgjigjur në pyetjen e deputetit të LDK-së, Arben Gashi, i cili e pyeti për numrin e ditëve që nga shpallja e masave emergjente në furnizimin e energjisë.

Rizvanolli tha se masat janë shpallur në dhjetor të vitit të kaluar mirëpo sipas saj ka pasur ndërprerje dhe më pas të njëjtat janë shpallur edhe në gusht të këtij viti.

“Masat janë shpallur më 24 dhjetor të vitit të kaluar. Ka pasur zgjatje pastaj janë ndërprerë dhe pastaj janë shpallur prapë në gusht të këtij viti. Që do të thotë 240 ditshi nuk është mënyra se si llogaritet”- tha ajo.

“Pati një keqinterpretim më herët për mundësinë për zgjatje të masave. Ligji lejon që të zgjaten për nga 90 ditë deri në 180 ditë shtesë e kjo 180 ditë ashtu siç u tha më herët”- shtoi Rizvanolli.

Gashi në fjalën e tij, kritikoi Qeverinë se për një vit nuk kanë arritur ta përmirësojë gjendjen në sektorin e energjisë dhe ka kërkuar nga ministrja Rizvanolli të tregojë se sa ditë kanë kaluar që nga shpallja e masave emergjente të energjisë.

“Nëse qeveria konsideron se janë të pamjaftueshme 30 ditë, kërkon dhe 30 ditë tjerë e në maksimum mund të kërkoj 180 ditë sipas ligjit, e sot e kemi mbërri mbi 200 e sa ditë. Ministrja të na tregon saktësisht në sa ditë kemi mbërri”- tha ai.

Kuvendi në një seancë të jashtëzakonshme po shqyrton sot propozimin e Qeverisë për zgjatjen për 30 ditë të masave emergjente të furnizimit me energji.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kërkuar nga deputetët që ta votojnë propozim-vendimin e Qeverisë për zgjatjen të masave emergjente të furnizimit me energji.