Rizvanolli: Furnizimi me ujë për zonat e prekura nga sulmi terrorist në kanalin e Ibër Lepencit po kthehet në normalitet

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se furnizimi me ujë për zonat e prekura nga sulmi terrorist në kanalin e Ibër Lepencit është duke u kthyer në normalitet.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Rizvanolli ka thënë se mbrëmë në orët e vona ka filluar furnizimi me ujë në komunat e Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe të Zveçanit.

“Sot, uji tashmë është lëshuar për në fabrikat e ujit të Drenasit dhe Shkabajt për trajtim dhe ka filluar furnizimi i rregullt i qytetarëve në Skenderaj. Brenda pak orësh pritet të normalizohet furznimi për qytetarët e Drenasit, Fushë Kosovës dhe Obiliqit” – ka shkruar ministrja Rizvanolli.

Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut.

Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Joseph Borrel e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin ujor të Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.

Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme me 30.11.2024, ku ka diskutuar për këtë shpërthim. Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.

Një numër i konsiderueshëm i armëve, pajisjeve ushtarake e pajisjeve të tjera është gjetur gjatë bastisjeve në veri, gjatë ditës së djeshme.

Deri më tani, siç kanë bërë të ditur vet ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla e drejtori i Policisë, janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore tetë persona.

Sulmi terrorist në kanalin e Ibër Lepencit – krejt çfarë dihet deri më tani