Rivendosja e lirive të qytetarëve pas COVID-19

Pandemia e koronavirusit ka ekspozuar nivelet e besimit midis shtetit dhe qytetarëve të tyre në Ballkanin Perëndimor por edhe më gjerë dhe, ndërkohë që qeveritë po përballen me këtë fazë të re të krizës, tensionet midis lirive politike dhe tendencat autoritare do të vazhdojnë akoma.

Krizat janë momente të mira për të sajuar fraza të reja dhe, në javët e fundit, kemi dëgjuar tek përmenden fraza të tilla si “diktatura e Koronës “, “virusi autoritar” dhe “diktatori i sëmundjes”.

Përderisa gjendjet e jashtëzakonshme janë shpallur zyrtarisht apo edhe jozyrtarisht në të gjithë botën, liritë qytetare dhe rregullat demokratike janë pezulluar në demokracitë liberale dhe në diktaturat absolute. Në të njëjtën kohë, sondazhet në të gjithë botën u kanë dhënë një shtytje qeverive dhe presidentëve në qeverisje, madje edhe atëherë kur ata e katranosin keq reagimin e tyre, sikurse në rastin e Presidentit të SHBA, Donald Trump.

Sigurisht, bota nuk ka hequr dorë nga demokracia. Sidoqoftë, në momente krizash, apeli “me çdo kusht” dhe ideja se “shpëtimi i jetës është më i rëndësishëm sesa rregullat”, janë shumë më bindëse. Sado e kuptueshme dhe reflektive të jetë kjo, prapë ka rezultuar në kufizime të demokracisë dhe të drejtave të njeriut në të gjithë botën të cilat, jo vetëm që janë të pashembullta, por edhe shpesh të çekuilibruara dhe kundërproduktive.

Ndërkohë që shtetet në kontinentin evropian, përfshirë Ballkanin Perëndimor, kanë ndërmarrë hapat e parë për t’i hequr masat kufizuese, edhe më tutje do të mbizotrojë një periudhë e gjatë e asaj që disa politikanë e quajnë “normalitet i ri”. Sigurisht, nuk ka asgjë normale në lidhje me këtë normalitet, pasi kufizimet do të aplikohen akoma dhe qytetarët do të kenë një periudhë të gjatë në të cilën jeta nuk do të jetë e njëjtë siç ishte para marsit të vitit 2020.

Kjo periudhë mbart edhe rreziqe me vete.  Së pari, ne nuk jemi në dijeni për kohëzgjatjen e saj.  Mund të jetë një vit ose më shumë derisa të gjendet një vaksinë, ose derisa virusi të bëhet më pak vdekjeprurës. Së dyti, mund të karakterizohet me ulje dhe ngritje, masat e reja kufizuese janë hequr dhe rivendosur – dhe të kaluarit nga masat më të rënda tek ato më të lehta nuk do të qartësoje edhe shumë gjë. Së treti, ndërkohë që qeveritë dhe qytetarët adaptohen me këtë “normalitet”, shumë masa tjera do të mbesin aktive, dhe shumë qytetarë thjesht mund t’i pranojnë kufizimet, mbikëqyrjen dhe masat e tjera.

Ndoshta nuk do të ketë një ditë të vetme kur “normaliteti” i vjetër, ai me të cilin kemi jetuar para Marsit të vitit 2020. Gjatë këtij tranzicioni të gjatë, shumëçka mund të mbetet ashtu siç është tani sesa të kthehet në gjendjen e mëparshme.

Pasaportat u bënë diçka e zakonshme pak më shumë se 100 vjet më parë, të prezantuara gjatë Luftës së Parë Botërore dhe u përdorën edhe gjatë pandemisë së “Gripit Spanjoll” pas Luftës së Parë Botërore. Tani, ato janë diçka normale. Siç e kanë vënë në dukje disa ditë më parë Emilian Kavalski dhe Nicholas Ross Smith përmes një opinioni, pasaportat imunitare mund të kenë një efekt të qëndrueshëm ndaj kësaj pandemie, duke krijuar një hierarki të re të shtetësisë.

Rreziku se masat kufizuese ndaj demokracisë dhe lirisë qytetare mund të bëhen masa të përhershme kufizuese, janë të mëdha. Shumë masa të jashtëzakonshme, veçanërisht nën regjimet autoritare dhe gjysëm autoritare janë të pakufizuara, të tilla si në Hungari, ose në vende të papërcaktuara mirë dhe të bazuara në një shtyllë të qartë kushtetuese, sikurse në Serbi.

Sidoqoftë, edhe nëse gjendjet e jashtëzakonshme do të revokoheshin tani ose në një të ardhme të afërt, ato shpesh kanë lënë dëme të mëdha. Në Hungari, qeveria e kryeministrit Viktor Orban ka përdorur masa për të dobësuar fondet komunale, në veçanti në bastionet opozitare, dhe i ka detyruar partitë që të dhurojnë para për fondin emergjent, duke e dëmtuar edhe më shumë opozitën.

Masat kufizuese ndaj lirisë së mediave kanë patur një efekt dekurajues sa i përket raportimit të pavarur dhe kritik, dhe kjo mund të vazhdojë në këtë mënyrë edhe pasi të jenë hequr masat kufizuese. Masat kufizuese ndaj lirisë së shtypit, siç ka ndodhur në Kinë, mund ta parandalojnë një hetim transparent dhe të pengojnë diskutimet kritike që mund të çojnë në korrigjimin e gabimeve.

Analizat e fundit politike nga Grupi Këshillimor i Politikave Ballkani në Evropë (Balkans in Europe Policy Advisory Group), argumentojnë se luftimi i pandemisë nuk kërkon masa autoritare ose sundim. Përkundrazi, vendet që janë përballur më mirë me pandeminë, si Tajvani dhe Koreja e Jugut, janë vende me demokraci.

Demokracitë kanë qenë në gjendje të ndërmarrin masa kufizuese, duke i mundësuar parlamentit të funksionojë në çdo kohë, duke mbrojtur lirinë e mediave dhe duke marrë masa që janë proporcionale dhe të kufizuara në fushëveprim dhe kohë. Sidoqoftë, në shumicën e shteteve në Ballkanin Perëndimor, kufizimet afatgjata (ora policore), gjobat e larta dhe masat shtypëse kanë qenë diçka tipike.

Duket se shumica e vendeve në Evropën Qendrore dhe Juglindore u goditën më pak nga pandemia sesa Evropa Perëndimore, pjesërisht për shkak se shumica e qeverive të këtyre rajoneve ndërmorrën masa më të rrepta qysh në fillim.

Ka disa shpjegime në lidhje me këtë. Me sisteme shëndetësore më të brishta, qeveritë e këtyre vendeve e kuptuan se ato duhej të përgjigjen me masa të rrepta sesa qeveritë e vendeve të pajisura më mirë. Këto vende po ashtu u prekën më vonë dhe arritën të reagojnë shumë më herët në lidhje me përhapjen e koronavirusit sesa në Itali, për shembull.

Ndërkohë që masat e ngurta dhanë disa rezultate, ato nuk janë shkaku i vetëm dhe sigurisht nuk e dëshmuan se aplikimi i hapave radikalë me kufizime afatgjate (orë policore) janë të suksesshëm.

Vendosja e masave të rrepta po ashtu shpërfaqi edhe marrëdhëniet e brishta midis shoqërisë dhe shtetit në këtë rajon. Shtetet me nivele të larta besimi u mbështeten tek qytetarët e tyre për të ndjekur rekomandimet e dhëna – Suedia, për shembull, një shtet i cili ka aplikuar masa të pakta kufizuese, qe në gjendje të shmangë më të keqen e pandemisë, duke inkurajuar qytetarët t’i ndjekin këshillat e qeverisë, në vend të imponimit të masave kufizuese.

Rasti i Suedisë paraqet një sukses të kualifikuar, pasi që shkalla e vdekshmërisë atje është dukshëm më e lartë krahasuar me vendet fqinje skandinave, mirëpo nga ana tjetër kjo e tregon edhe skajshmërinë e komunikimit të bazuar në besim.

Por aty ku besimi është i vogël, masat kufizuese janë e vetmja rrugë në dispozicion. Kjo mungesë e besimit ka qenë shumë e dukshme në Serbi, ku presidenti i ka qortuar qytetarët sikurse të ishin fëmijë të vegjël dhe duke i denigruar ata gazetarë që kishin guximin të shtrojnë pyetje kritike (qoftë edhe jo aq kritike). Masat e vendosura nga shteti i kishin mbyllur qytetarët me ditë të tëra dhe pastaj zyrtarët befasoheshin dhe i qortonin qytetarët kur ata grumbulloheshin në vende publike gjatë orëve të kufizuara që i kishin në dispozicion.

Kosova, në ndërkohë, ka qenë një kontrast i jashtëzakonshëm. Sabotimi i qeverisë së re gjatë pandemisë, i nxitur nga Shtetet e Bashkuara, duke krijuar qendra garuese të vendim-marrjes, me presidentin dhe qeverinë në detyrë, pikërisht atëherë kur një zë unik nevojitej më së shumti.  Ndërmjet akuzave e kundërakuzave dhe luftës politike, mesazhi i elitës politike, veçanërisht atyre rreth presidentit dhe gardës së partive të  vjetra ishte i qartë: pandemia është më pak e rëndësishme sesa fitimi i poenave politik.

Në përpjekjen e pakursyer të Administratës Trump, të udhëhequr nga i dërguari special per dialogun Kosovë-Serbi Richard Grenell, për arritjen e një marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur, as proceset pandemike dhe as ato demokratike në Kosovë nuk kishin shumë rëndësi.

Ndërkohë që në Serbi dhe në shumicën e vendeve të tjera të rajonit, pandemia i bëri qeveritë edhe më të forta, në Kosovë, ajo e lehtësoi (por nuk e shkaktoi) rrëzimin e saj. Befasia në Kosovë ishte aftësia e institucioneve që të funksionojnë me gjithë luftën për pushtet dhe duke i evituar efektet më të këqija të pandemisë. Megjithatë, nuk ka ndihmuar për të forcuar besimin në shtet.

Kur shteti nuk u beson qytetarëve, qytetarët nuk i besojnë shtetit. Kjo gjithashtu nënkupton se në momentin kur masat kufizuese largohen, gjërat do të kthehen në “normalitet” për sa i përket sjelljes së njerëzve dhe gjetja e një ekuilibri për të menaxhuar pandeminë për një periudhë më të gjatë kohore do të jetë shumë sfiduese.

Ky besim nuk u zhduk brenda natës. Është pjesë e një procesi të gjatë të gërryerjes së institucioneve publike, diçka që Komisioni Evropian e ka identifikuar si “kapje e shtetit” në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Një gjë është bërë shumë e qartë në Serbi. Ndërsa autoritetet atje talleshin me virusin, mediat besnike ndaj regjimit flisnin për gjenet serbe që ishin imune ndaj COVID-19. Një atmosferë e tillë dëmton besueshmërinë e qeverisë dhe institucioneve të saj dhe e dobëson edhe më tej besimin e publikut. Rreziku qëndron në atë se kjo do të arsyetohet dhe do të rezultojë në masa edhe më represive duke i dhënë një shtysë rrëshqitjes drejt një (post-)Korona autoritarizmi.