Rivali i Erdoganit zotohet për dhënie fund të “autoritarizmit”
Një javë para zgjedhjeve më të rëndësishme në dekadat e fundit në Turqi, një bllok opozitar prej gjashtë partive, është paraqitur para mijëra mbështetësve, në një marsh të mbajtur në Stamboll.
“Ju do ta rrëzoni administratën autoritare, përmes mjeteve demokratike”, ka thënë kandidati i opozitës, Kemal Kılıçdaroglu, para një turme të madhe.
Ai ka thënë se një qeveri demokratike në Turqi, do të ishte “dhuratë për botën e politikës”.
Sondazhet tregojnë se ai gëzon më shumë mbështetje, sesa presidenti aktual, Recep Tayyip Erdgoan.
“Ne nuk do ta lëmë Republikën e Turqisë në duart e një burri”, ka thënë Kılıçdaroglu, duke iu referuar presidencës ekzekutive të Erdoganit.
Ai është zotuar për të rikthyer sundimin e rendit dhe ligjit.
Marshet në Stamboll, tradicionalisht konsiderohen të rëndësishme në fushatat zgjedhore.
Të dielën, edhe Erdogani pritet të jetë pjesë e një marshi me mbështetësit e tij, në të njëjtin qytet.
Erdogan është duke u përballur me testin më të vështirë zgjedhor në 20 vjetët e fundit, për shkak të krizës ekonomike, si dhe tërmeteve shkatërruese, që janë regjistruar në fund të muajit shkurt, në lindje të shtetit.
Fushata zgjedhore ka qenë mjaft e ashpër para zgjedhjeve, pasi Erdogan e ka akuzuar opozitën për tradhti dhe mbështetje të terrorizmit.
Opozita, në anën tjetër, ka pretenduar se kampi i Erdoganit është duke planifikuar luftë kibernetike për ta diskredituar Kılıçdaroglun, duke përdorur fotografi dhe video të rreme.
Të dyja palët i kanë hedhur poshtë akuzat e njëra-tjetrës/REL/.