Instalacioni "Gjama" në Sallën Atelie. Foto: Antigonë Isufi / Prishtina Insight.

Rituali pagan ‘Gjama’ ringjallet përmes instalacionit audioviziv në Prishtinë

Salla Atelie e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve u shndërrua në një vend të zisë kolektive të mërkurën në mbrëmje, përderisa Zgjim Elshani zbuloi instalacionin e tij të ri ‘Gjama’, i cili është i frymëzuar nga ritualet e lashta të pikëllimit shqiptar.

Përderisa dheu mbuloi dyshemenë e sallës të shpërndarë në një model diellor, thirrjet nga interpretuesit e ritualit të përbashkët zije ushtonin përtej katër mureve të saj.

Në një ekran, një trup i mbuluar me një pëlhurë ishte shtrirë në tokë, i rrethuar nga burra, britmat e të cilëve jehonin rreth një livadhi në rajonin e Shkodrës në veri të Shqipërisë. Në sfond, gratë vajtonin për të ndjerin.

Interpretuesit po performonin një ritual të vjetër pagan të zisë të praktikuar nga shqiptarët, përgjatë shekujve, Gjama, nga i cili mori emrin instalacioni. Rituali, i përdorur vetëm për burrat e vdekur, është praktikuar kryesisht në Shqipërinë e Veriut dhe disa pjesë të Kosovës perëndimore, veçanërisht në rajonet e Malesisë së Madhe, Dukagjin, Gjakovë, Iballa, Mirditë e Tropojë.

Rituali përdoret për të kapërcyer dhimbjen, për të shprehur pikëllimin kolektiv dhe për të respektuar të ndjerin. Përmes simulimeve audiovizive projekti inkurajon audiencën e tij të “rimendojë pikëllimin kolektiv dhe atë që do të thotë të shfaqësh publikisht emocione në një shoqëri patriarkale”.

Zgjim Elshani në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Foto: Antigonë Isufi / Prishtina Insight..Elshani ka thënë për Prishtina Insight se ai beson që zia kolektive mund të ndihmojë në lehtësimin e dhimbjeve dhe humbjeve njerëzore.

“Ne mund ta shohim këtë në ceremonitë e tjera që kemi në raste vdekjeje, për shembull gjatë të pameve. Shihet kur një numër i madh njerëzish mblidhen për të ndarë dhimbjen”, thotë ai.

Artisti thotë se qëllimi i tij për punimin e këtij instalacioni ishte dokumentimi i riteve dhe zakoneve që përndryshe nëse nuk ruhen mund të harrohen.

“Ky ritual pagan është shumë interesant. Vetë fakti që dhimbja kolektive shprehet përmes spiritualitetit tregon që një ritual i tillë duhet të dokumentohet. Është mëkat të harrohet”, ka thënë Elshani.

Praktikuesit bashkëkohorë të këtij rituali janë të rrallë dhe Elshani së pari duhej të hulumtonte historinë e Gjamës përpara se të fillonte kërkimin për njerëz që kishin përvojë personale dhe ishin në gjendje të kryenin rishfaqjen.

“Në Theth, një person më prezantoi me një burrë në Shkodër që praktikon ritualin dhe njerëzit që shihni në video të gjithë e praktikojnë këtë ritual. Këtu ata e bënë atë për instalacion por ata shkojnë në funerale dhe praktikojnë Gjamën”, thotë ai.

Instalialacioni “Gjama” në Sallën Atelie. Foto: Antigonë Isufi / Prishtina Insight.Elshani, i cili jeton në Holandë, thotë se ai do të kërkojë të ekspozojë punën e tij jashtë vendit dhe do të aplikojë në një numër festivalesh ndërkombëtare. Ai është gjithashtu i interesuar të rikrijojë ritualet e tjera antike shqiptare për instalacionet e ardhshme.

Gjama do të qëndrojë e hapur sot (e enjte 24 qershor) nga ora 19:00 në Sallën Atelie në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.