Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ritmi i rrugëtimit të Memlit deri në krye të PDK-së

Memli Krasniqi ka marrë besimin e anëtarëve për të qenë kryetari i tretë në historinë e njërës prej partive më të vjetra në Kosovë – Partisë Demokratike të Kosovës.

I kyçur në politikë si një figurë e njohur e muzikës “Hip Hop” të fundviteve të 90-ta e fillimi viteve të 2000-ve, Memli Krasniqi sot 41-vjeçar mori drejtimin e partisë më të madhe opozitare në Kosovë.

Ritmi i tij në rrugën politike ishte i shpejtë. Në vitin e tij të dytë të angazhimit në politikë, Krasniqi ishte zgjedhur kryetar i Rinisë së PDK-së.

Memli Krasniqi do të merr drejtimin e PDK-së pak muaj para se Kosova të hyjë në garë zgjedhore për 38 komuna.

Më 17 tetor të këtij viti do të mbahen Zgjedhjet Lokale për kryetarë dhe Kuvende Komunale në Komunat e Kosovës.

Krasniqi deri më tani ka qenë nënkryetar i partisë dhe është deputet i Kuvendit të Kosovës në secilën palë zgjedhje që ka konkurruar.

Memli Krasniqi është kryetari i tretë i PDK-së, pas Hashim Thaçit si themelues i partisë dhe Kadri Veselit si pasues i tij, pas zgjedhjes president.

PDK-ja deri më tash u drejtua nga Enver Hoxhaj, deputet i PDK-së, si ushtrues i detyrës së kryetarit, pas shkuarjes në Hagë të Kadri Veselit, në nëntor të vitit të kaluar, për t’u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ngritur nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Mandati i  Memli Krasniqit në krye të PDK-së, do të jetë katër vjet.

Që nga viti 2007 kishte marrë besimin e elektoratit të PDK-së për t’i përfaqësuar në Kuvend.

Ai në atë kohë grumbulloi 17 mijë 614 vota.

Më pas në vitet e tjera, përkatësisht në vitin 2010 arriti të marrë 11 mijë e 550 vota.

Në zgjedhjet e 2014-es, Krasniqi grumbulloi 16 mijë e 112 sosh. Përderisa në vitin 2017 mori 9 mijë 76 vota dhe në vitin 2019 mori 11 mijë vota.

Ndërsa në zgjedhjet e fundit që janë mbajtur me 14 shkurt 2021, kreu i PDK-së arriti të fitoi besimin e 15 mijë 912 vota, duke shënuar kështu një rritje votash pas dy palë zgjedhjeve të kaluara.

Kush është Memli Krasniqi?

Memli Krasniqi u lind në Mitrovicë më 25 janar 1980 ku ka kryer shkollimin fillor në shkollën fillore “Hasan Prishtina” dhe atë të mesëm në Gjimnazin “Xhevdet Doda”.

Ai ka përfunduar studimet në fakultetin filozofik të Universitetit të Prishtinës, dega Shkenca Politike dhe Administratë Publike. Ndërsa studimet e nivelit master i ka përfunduar në Marrëdhënie Ndërkombëtare në shkollën Londineze për Ekonomi dhe Shkenca Politike.

Deri në vendimin e tij për t’u kyçur në Politikë, Memli Krasniqi ka qenë i njohur si rap-artist i kohës.

Memli Krasniqi dhe Arbër Reçi, dytë me flokë të gjatë kishin formuar grupin e muzikës “Hip Hop”, Ritmi Rrugës. Ndonëse tash njihet më shumë si politikan, Memli Krasniqi kishte bashkëpunuar me shumë muzikantë në fillimet e karrierës së tij dhe kishte prodhuar me dhjetëra këngë.

Njëjtë si në politikë, ashtu edhe në muzikë, me Memli Krasniqin nuk kanë pranuar të bashkëpunojnë të gjithë artistët e muzikës rap.

Në vitin 2004, ai ishte kyçur në Partinë Demokratike të Kosovës. Me krijimin e Kabinetit për Qeverisje të Mirë, kur PDK ishte në opozitë, Krasniqi ishte emëruar udhëheqës i Departamentit të Rinisë.

Në fund të 2006, Krasniqi kishte marrë besimin e të rinjëve të PDK-së për të qenë kreytar i tyre.

Deri sot, ai ishte nënkryetar i PDK-së, ndërsa këtë detyrë fillimisht e kishte marrë në vitin 2013 kur ishte zgjedhur nënkryetar i PDK-së për Çështje Organizative dhe të Rinisë.

Në 2008 Memli Krasniqi ishte emëruar zëdhënës në Qeverinë Thaçi 1. Krasniqi ishte rizgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010, ndërsa ishte emëruar Ministër në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport në shkurt të vitit 2011.

Për 3 vite, Memli Krasniqi kishte qenë nënkryetari i parë i Komitetit Olimpik të Kosovës.

Memli Krasniqi është djali i profesorit universitar, Milazim Krasniqit, njërit nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Memli Krasniqi është njëri nga politikanët e vetëm që në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Anti Korrupsion ka deklaruar se posedon kryptovaluta që me çmimin e tregut kapin shifrën e rreth 300 mijë eurove.