Rishikimi i buxhetit, opozita kritikon qeverinë për menaxhimin ekonomik në pandemi

Komisioni për Buxhet dhe Transfere në mbledhjen e sotme është duke shqyrtuar në parim Projektligjin për rishikimin e buxhetit 2020.

Qeveria po kërkon rishikimin e buxhetit për të implementuar fondin për rimëkëmbje ekonomike për shkak të COVID-19.

Kurse, opozita ka kritikuar qeverinë për menaxhimin e pandemisë nga aspekti ekonomik.

Deputetja nga grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se qeveria aktuale nuk e ka trajtuar sa duhet strukturën ekonomike.

“Ajo çka kemi parë është se nuk ka pasur ndonjë debat të mirëfilltë mbi strukturën e re ekonomike. Të gjitha shtetet janë duke disbursuar ndihma në ekonomi, por kanë trajtuar edhe strukturën e ekonomisë së vendit. Në Kosovë kjo pak e fare nuk është tajtuar nga qeveria juaj. Nëse sektorë strategjikë mbeten investimet në asfalt, atëherë nuk është kurrgjë e re në raport me atë çfarë kemi pasur deri më tash”, tha ajo.

Ndërkaq, Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, theksoi se është për t’u vlerësuar puna e atyre që kanë bërë për rishikimin e buxhetit, por shtoi se këto masa janë të vonuara.

“Edhe buxheti original kur është aprovuar, pandemia ka qenë e shpallur dhe buxheti nuk ka qenë adekuat për situatën. Këtë e kemi thënë vazhdimisht dhe kemi propozuar që të bëhet një ligj i ri. Edhe tash qeveria ende nuk e ka dhënë një mendim për këto çështje”, tha Hamza.

Sipas tij, nevojat dhe urgjenca shumë më herët ka qenë më e madhe që të bëhen ndryshimet e nevojshme legjislative.

Ministrja Bajrami flet për rënien ekonomike për shkak të pandemisë