Kuvendi i Kosovës - Arkiv

Rishikimi i buxhetit do të bëhet me procedurë të përshpejtuar

Me 69 vota pro, 13 kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës ka votuar mocionin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje që Rishikimi i buxhetit për vitin 2021 të bëhet me procedurë të përshpejtuar.

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se Vetëvendosje kërkon që leximi i parë dhe leximi i dytë i këtij Ligji të kryhet me procedurë të përshpejtuar.

Kjo procedurë, sipas saj, mundëson që deri në fund të muajit korrik të miratohet në tërësi rishikimi i buxhetit për vitin 2021.

Ministri i Financave të Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë seancës së Kuvendit, paraqiti Projektligjin e buxhetit të rishikuar për vitin 2021.

Ai tha se me buxhetin e rishikuar për vitin 2021 shpenzimi do të jetë në total 2 miliardë e 516 milionë euro, kurse të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro.

“Ne si ministri kemi finalizuar përgatitjet për rishikim të buxhetit 2021 për t’u përgjigjur trendeve ekonomike që janë materializuar gjatë gjysmës së parë të këtij vit”, tha Murati.

Ministri i Financave prezanton projektligjin e buxhetit të rishikuar për vitin 2021