Rishikimi i buxhetit 2021 parashihet të jetë 3 për qind më i lartë sesa është aprovuar

Shpenzimet sipas Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2021, ishin paraparë të jenë 2.454 miliardë euro, kurse gjatë rishikimit të buxhetit parashikohet të jenë 2.517 miliardë euro apo 3% më shumë sesa buxheti i aprovuar.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja.

Sipas Mujës bazuar në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021,  të hyrat të përgjithshme tatimore që ishin planifikuar të jenë 1,887.9 miliardë euro pritet të rriten për 155.3 milionë apo 7.6% përgjatë rishikimit të buxhetit, pra në total te hyrat tatimore pritet të jetë 2,043.2 miliardë euro.

“Planifikimi i parashikuar i të hyrave tatimore pritet të mbështetet kryesisht nga tatimet direkte dhe indirekte, veçanërisht nga TVSH-ja dhe akciza dhe nga grantet për mbështetje buxhetore. Tatimet direkte (tatimi në të ardhurat e korporatave, të ardhurat personal, pronë etj.), pritet të rriten rreth 7%, apo 22.4 milionë euro. Tatimet indirekte (TVSH, vendore, kufitare, detyrimet doganore, akciza etj.), parashihen poashtu të rriten mesatarisht me 7%, apo 66.9 m, me rishikimin e buxhetit”, tha Muja.

Ai ka treguar se sipas projeksioneve të miratuara me ligjin e buxhetit 2021, shuma e përgjithshme për financim që ishte paraparë për të pasur bilanc buxhetor 629.1 milionë euro, por sipas tij gjatë rishikimit të buxhetit kjo shumë është zvogëluar në 473.4 milionë euro.

“Pra kemi zvogëlim për 155.7 milionë euro më pak apo -20%, për shkak të pandemisë dhe masave që pritet të ndërmerren. Ky deficit është planifikuar të mbulohet përmes financimit të brendshëm dhe të jashtëm”, shtoi ai.

Muja tha se në fund të vitit 2020 borxhi i përgjithshëm, arriti vlerën 1.488 miliardë euro që krahasuar me vitin paraprak shënoi një rritje prej rreth 23.8%, ndërsa, sipas tij në buxhetin fillestar 2021, të aprovuar ne dhjetor 2020,  borxhi ishte planifikuar të rritet për 629.1 milionë euro.

“Në bazë të Ligjit për Ndarje Buxhetor 2021, të miratuar në dhjetor 2020, borxhi publik ishte planifikuar të shkonte në 2,117 miliardë euro. Me rishikimin e buxhetor borxhi i përgjithshëm për vitin 2021 pritet në zvogëlohet nga 2,117 sa ishte parapare fillimisht në 1,999.2 miliard euro. Shkalla e borxhit publik në Ligjin për Ndarje Buxhetore 2021 ishte parapare të ishte 28.6%. Me rishikimin e buxhetit shkalla e borxhit publik zvogëlohet nga 28.6% ne 27.6%”, tha Muja.

Bazuar në të dhënat e paraqitura në Projektligjin Nr.08/L-016 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, si dhe aneksin e paraqitur me përmbledhjen e organizatave buxhetore, Muja tha se e shohin që pjesën më të madhe të buxhetit në nivelin qendror pritet ta shpenzojë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve me 753.8 milion euro apo rreth 40 % të totalit të buxhetit të nivelit qendror, pastaj është Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me 200.4 milion euro apo 10.4%, pastaj vjen Ministria e Punëve të Brendshme me 147.2 milion euro apo 7.6%, pastaj është Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës me 117.9 milion euro apo 6.13% si dhe Ministria e Shëndetësisë me 117.5 milion euro apo 6.12% të total buxhetit të nivelit qendror si dhe OB tjera që paraqesin nivelin e përqindjes më të vogël.​

Shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021 ka shkuar si pikë e rendit të ditës sot në tri komisione parlamentare.

Në komisionin për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim dhe në komisionin për Integrime Evropiane kjo pikë ka kaluar, kurse në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit nuk është miratuar.

Në komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, nuk e ka kaluar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021 pasi vetëm dy vota ishin për.

Deputeti i PDK-së Elmi Reçica tha se nuk e përkrahin këtë pikë.

“Konsiderojmë që buxheti nuk është në harmoni me kërkesat e qytetarëve dhe ne kemi qëndrim politik për këtë Projektligj dhe nuk do ta mbështesim me vota”, tha Reçica.

Mendim të njëjtë ka ndarë edhe deputetja e PDK-se Blerta Deliu-Kodra duke thënë se ky projektligj nuk i përmbush kërkesat e qytetarëve të Kosovës.

Ndërsa, kryesuesi i Komisionit, Adnan Rrustemi tha se nuk ka vërejtje.

Elmi Reçica, deputet i PDK-së, kundërshtimin e tij për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, me raport amandamente të Komisionit funksional për Buxhet, Punë dhe Transfere, e ka shprehur edhe në komisionin për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim.

Re֗çica, për çështjen e buxhetit ka deklaruar që si i tillë nuk duhet të kaloj.

“Rishikimi ka shumë primesa politike dhe tentohet të ndikohet drejtpërdrejtë te zgjedhjet lokale. Kur futemi brenda këtij buxheti ka çështje që duhet të diskutohen dhe do të duhej të ndryshohen e plotësohen. Si i tillë ky buxhet nga deputetët e PDK dhe nga unë nuk do të votohet si rishikim”, tha ai.

Ndërkaq, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, në komisionin për Integrime Evropiane u miratua me 6 vota për.