Ripublikimi i pasigurt i informacioneve
Mungesa e standardeve profesionale në media dhe portale në Kosovë ka krijuar një ambient ku lajmet e pavërteta ripuplikohen pa kaluar në filtrin bazik të redaktimit. Hulumtimet e fundit kanë nxjerrë në pah tendencën që keqinformimi të ndodhë në përkthime dhe ripublikime të lajmeve të cilat raportojnë për situata jashtë vendit.
Të dhënat nga monitorimet tregojnë që gazetarët në vend nuk janë edukuar të verifikojnë saktësinë e informacionit sidomos kur ai përkthehet nga gjuhët e huaja, përfshirë gjuhën serbe.
Së fundmi, ishte një lajm i cili u publikua nga disa media online në Kosovë, e ku thuhej se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka deklaruar se “nuk do ta njoh kurrë pavarësinë e Kosovës”.
Mediat kosovare morën një lajm nga mediat serbe, por nuk e cituan drejt presidentin serb gjatë një fjalmi në Kuvendin e Serbisë. Deklarata e Vuçiq u publikua edhe në rrjetin social Twitter në gjuhën serbe, me titull “Vuçiq: Nuk do ta njoh kurrë pavarësinë e Kosovës!”.
Por, pas një verifikimi, doli se lajmi nuk i saktë.
Sipas profesorit të gazetarisë, Alban Zeneli, mediat duhet t’i kushtojnë vëmendje të madhe verifikimit të burimit informacionit. Sipas tij, burimet duhet të trajtohen mbi dy kritere.
“Së pari, burimi duhet të jetë relevant në raport me temën që trajtohet, përveç relevancës, burimi duhet të jetë kredibil si dhe gazetari të ketë mundësi verifikimi të tyre” – thotë Zeneli.
18 media online kanë qenë pjesë e një studimi të Këshillit të Mediave të Shkruara. Aty është konstatuar se disa nga këto media nuk kanë politika redaktoriale dhe nuk kanë redaktor në një pjesë të madhe të kohës kur kryejnë publikime.
Autori i publikimit, Qerim Ondozi mendon se parimi i gazetarisë që lajmi të kalojë në filtra të redaktimit shpesh nuk zbatohet.
“Lajmi duke duhet të shihet, se prej sa burimeve është mbështetur apo duke përdorur verifikues të fakteve (facktchecker), të cilët së fundmi po ekzistojnë” – vlerëson Ondozi.
Mungesa e udhëzimeve dhe parimeve se ku gazetarët mund të marrin materiale të konfirmuara ka shpërfaqur gabime gjatë transmetimit dhe përkthimit të lajmeve.
“Shpeshherë redaksitë e mediave që nuk verifikojnë informacionet, por vetëm marrin dhe përkthejnë lajme nga agjencitë e huaja, mund të bien pre e narrativave kundër Kosovës nga deklaratat e politikanëve, sidomos nga të Serbisë, Rusisë, e vendeve tjera jo-perëndimore” – thotë tutje ai.
Pse mediat publikojnë informacione të paverifikuara?
Në Kosovë ekzistojnë mbi 300 media online, të njohura si portale, të regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK). Gara mes mediave për të publikuar lajmin e para nga të tjerat, sipas Qerim Ondozi, bën që ato të bien në grackën e shpejtësisë duke bërë edhe gabime.
“Për media, mosverifikimi i fakteve, është problem sepse sot po flasim për mediat që sot po dëshirojnë të parat. Media sot më shumë i kushton kujdes të qenurit i pari sesa të qenurit më cilësori” – vlerëson ai.
“Në këtë garë për të qenë i pari që e plason lajmin, mediat futen në grackën e prodhimit, shpesh herë, të paqëllimshëm, të lajmeve të rreme” – thotë ai.
Rreziku, është po ashtu, kur prodhimi i lajmeve të rreme bëhet nga grupe të caktuara, të cilat nuk janë fare media.
Njëri prej faktorëve se pse mediat nuk arrijnë çdoherë t’i verifikojnë burimet e informacionit, është se ato nuk kanë staf të mjaftueshëm për të bërë një gjë të tillë.
Sipas Zebelit, një problem tjetër është se mediat marrin shumë informacione nga rrjetet sociale të cilat nuk i verifikojnë pastaj.
“Ka dy faktorë, faktori i parë ka të bëjë me kapacitetet e këtyre mediave, ato që bëjnë lëshime janë kryesisht redaksi të vogla të cilat nuk kanë numër të madh të gazetarëve dhe redaktorëve e korrespodentësh” – thotë ai.
“Faktori i dytë po aq i rëndësishëm është lehtësia që japin mediat sociale si Facebook, Twiter, etj, që të merren informacione nga kudo në botë. Normalisht këto informacione të qasshme lehtësisht janë kryesisht pjesë e propagandës së palëve të përfshira në çështje, rrallë herë përbëjnë të vërtetën e plotë për një çështje të trajtuar në lajme” – thotë ai.
Verifikimi i burimeve nga mediat nuk është proces i lehtë, pohon Qerim Ondozi. Sipas tij, mediat duhet të investojnë në staf për tu kujdesur për verifikim të inflamacioneve që publikojnë.
“Por, duhet ta keni parasysh që për verifikim gjithmonë duhet kohë, për verifikim duhet të kërkohet prej disa burimeve dhe të përdoren metoda. Në garën për me qenë i pari, media është viktimë” – deklaron ai.
“Ne kemi shumë media në vendin tonë që përbëhen prej stafit të reduktuar, kemi shumë lajme në Kosovë që nuk janë origjinale. Ekziston një marrëveshje mes mediave për marrjen e lajmeve, për citimin e tyre nga njëri-tjetri, por për verifikim, duhet një staf brenda redaksive sepse nuk po flasim për një proces të lehtë. Ai është proces kompleks në ditët e sotme” – thotë ai.