Nënkalimi në Kalabri-QKUK- Fotografi: Medina Braha në Facebook

Riparohen artistikisht katër nënkalime në Prishtinë

Mbrëmë ka ka përfunduar ngjyrosja e nënkalimit të fundit në Prishtinë në kuadër të projektit për riparimin e katër nënkalimeve në zona të ndryshme të kryeqytetit.

“Së bashku me ekipin mbikëqyrës dhe arkitekten e angazhuar në projekt, mbrëmë pamë përfundimin e riparimit të nënkalimit Kalabri – QKUK”, ka shkruar drejtoresha e Shërbimeve Publike në komunën e Prishtinës, Medina Braha.

Sipas Brahës qëllimi i këtij projekti ka qenë që të promovohet siguria e kalimtarëve gjatë qarkullimit në këto hapësira dhe njëherazi Prishtinës t’i jepet sa më shumë ngjyrë dhe gjallëri. 

Braha ka shkruar se përpos aspektit të sigurisë dhe anës artistike, gërshetimi i ngjyrave të ndezura në nënkalime është bërë me qëllimin që ato të japin efekte psikologjike te qytetarët duke marrë parasysh faktin se truri i njeriut i percepton ngjyrat para formave.

Sipas saj, riparimi i hapësirave brenda këtyre nënkalimeve ka paraqitur nevojën për pastrim, demolim, fasadim, ngjyrosje, nivelizim, vendosje të pllakave, rregullim të ndriçimit, rregullim të ujëmbledhësve dhe vendosje të mbajtësve përgjatë pjerrinës. 

Arkitektja e projektit, Zejnije Kastrati në fillim të implementimit të këtij projekti kishte thënë se ky aktivitet është në vazhdën e aktiviteteve për zhvillimin e artit dhe arkitekturës.

Kastrati kishte thënë se aplikimi i tri ngjyrave parësore nga paleta e ngjyrave bënë që kalimi përgjatë ecjes të përjetohet si siguri, ngrohtësi dhe qetësi në ecje.

Gjatë vitit 2020 ka filluar riparimi i hapësirave brenda katër nënkalimeve:  Kalabri – QKUK; – Kalabri – Dardani;  Xhamia e Llapit – Shkolla Model;  Bardhosh.