Rinumërohen mbi 73% të vendvotimeve

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve sot ka vazhduar rinumërimi i 1,407 vendvotimeve, pas vendimit të PZAP-së.

Pas 8 ditë rinumërim në QNR sot deri në orën 16:00 janë numëruar mbi 73 për qind e të gjitha kutive me vota.

“Vetëm deri në orën 16:00 të ditës së sotme, e enjte, janë rinumëruar 65 vendvotime. Në përgjithësi numri i vendvotimeve të rinumëruara, që nga pasditja e 13 nëntorit dhe deri më tani, është: 1.034 apo 73.49%”, ka bërë të ditur për KALLXO.com, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.

Elezi shtoi se në QNR janë 33 tavolina numërimi dhe gjatë një ndërrimi (08:00-16:00) vetëm njëra prej tyre numëron mesatarisht 750 fletëvotime si dhe kryen të gjitha procedurat tjera që kanë të bëjnë me plotësimin e formularëve të rezultateve për subjektet politike dhe formularët e rezultateve të kandidatëve për deputetë.

Ky rinumërim ka nisur të mërkurën e kaluar pasdite pas vendimit të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa.

Ditë më parë, KQZ njoftoi se QNR ka shtuar numrin e tavolinave në të cilat bëhet rinumërimi i votave ndërsa, për këtë proces tha se janë njoftuar edhe partitë politike.

KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare një ditë e një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 6 tetor.

Sipas këtyre rezultateve, forca politike më e madhe në vend doli Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit me 32 deputetë që u pasua nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 29 deputetë.

Por, një ankesë e koalicionit NISMA-AKR-PD në adresë të PZAP-së, ndërroi numrin e ulëseve të partive politike në Parlament, pasi vendimi i këtij institucioni obligoi KQZ-në që mbi 3 mijë vota të ardhura nga Serbia të hiqen nga rezultatet përfundimtare.

Ndaj këtij vendimi të PZAP-së, tre kandidatë për deputetë të LVV-së janë ankuar në Gjykatën Supreme e cila ia ka refuzuar.