Rinumërohen gjysma e kutive të 6 tetorit

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon rinumërimi i 1,407 vendvotimeve.

E kur ky proces ka hyrë në ditën e shtatë, deri më tani janë numëruar gjysma e kutive me vota.

“Në ditën e gjashtë, të hënën, janë rinumëruar 132 vendvotime. Sipas të dhënave të deritashme janë rinumëruar 706 vendvotime nga 1,407 sa janë gjithsej. Kjo shifër përbën 50% të vendvotimeve të rinumëruara deri më tani”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valimir Elezi për KALLXO.com.

Ai shtoi se kanë mbetur edhe 701 kuti me fletëvotime për t’u rinumëruar.

Ky rinumërim ka nisur të mërkurën pasdite pas vendimit të Paneli për Ankesa dhe Parashtresa.

Dit më parë, KQZ njoftoi se QNR ka shtuar numrin e tavolinave në të cilat bëhet rinumërimi i votave ndërsa, për këtë proces tha se janë njoftuar edhe partitë politike.

“Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të punojë në 2 ndërrime si dhe është shtuar numri i tavolinave apo njësive të numërimit nga 23 në 32, në mënyrë që të arrijmë që sa më shpejt të përmbyllim të gjithë këtë proces. Për të vëzhguar procesin e rinumërimit janë njoftuar edhe subjektet politike, të cilat mund të dërgojnë nga 1 vëzhgues për secilën njësi numërimi”, pati thënë Elezi.

KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare një ditë e një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 6 tetor.

Sipas këtyre rezultateve, forca politike më e madhe në vend doli Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit me 32 deputetë që u pasua nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 29 deputetë.

Por, një ankesë e koalicionit NISMA-AKR-PD në adresë të PZAP-së, ndërroi numrin e ulëseve të partive politike në Parlament, pasi vendimi i këtij institucioni obligoi KQZ-në që mbi 3 mijë vota të ardhura nga Serbia të hiqen nga rezultatet përfundimtare.

Ndaj këtij vendimi të PZAP-së, tre kandidatë për deputetë të LVV-së janë ankuar në Gjykatën Supreme e cila ka refuzuar.