Rinumërimi i votave të LDK-së në Vushtrri, nënkryetari i degës kërkon shkarkimin e kandidates për deputete

Ka përfunduar rinumërimi i votave të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në të gjitha vendvotimet në Vushtrri pasi Prokuroria e Mitrovicës urdhëroi rinumërimin e tyre më 05.03.2025.

Kështu ka bërë të ditur nënkryetari i LDK-së në Vushtrri, Shkelzen Xhaferi.

Sipas Xhaferit, nga 2,004 vota të numëruara në palestrën e Vushtrrisë për kandidaten e tyre, ish-deputeten Rrezarta Krasniqi, pas rinumërimit të bërë pas ankesës në Prokurori rezultuan 2,003 vota.

“Po, po, 2,003 vota! U bë lajm në të gjitha mediat se ju janë vjedhur votat nga komisionerët e LDK-së në Vushtrri, duke pretenduar se ishin vjedhur 1,500 vota. I dërgoi në Prokurori komisionerët e shtëpisë së vet, i kërcënoi me plumb dhe, në fund, e shpërfaqi nëpër të gjitha mediat se i ishin vjedhur votat. Por drejtësia gjithmonë fiton në fund!” – ka shkruar Xhaferi në Facebook, më 07.03.2025.

Xhaferi i ka kërkuar kandidates për deputete, Rrezarta Krasniqi që t’u kërkoj falje të gjithë anëtarëve, rugovistëve dhe strukturës së LDK-së në Vushtrri duke i thënë se “e njollose, e kërcënove, e dërgove në prokurori dhe, më kryesorja, që je në koordinim total me PDK-në për rrëzimin e Xhafer Tahirit!”.

“Nuk mund të jesh ditën me LDK-në e në mbrëmje nëpër tavolina duke bërë marrëveshje me PDK-në për të rrëzuar Xhafer Tahirin. (Qyteti e di se ti ia humbe LDK-së balotazhin dhe tentove ta përçash partinë në zgjedhjet lokale.) Dy herë aktivistët e LDK-së në Vushtrri të dhanë mandatin për deputete. Bëre 0 punë për ta. Kur nuk fitove herën e tretë, na njollose të gjithëve!” – ka thënë Xhaferi.

Me këtë rast, Xhaferi i ka kërkuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku që të marrë masa dhe sipas tij, “të pastrojë LDK-në nga mbetjet e instaluara nga PDK-ja”.

“Marre! Shkarkim dhe asgjë më pak!!! Dritë do të ketë për LDK!” – ka theksuar Xhaferi.

Pasi kanë kaluar dy orë, Krasniqi ka shpjeguar se angazhimi i saj për ta denoncuar këtë fenomen, siç e ka vlerësuar ajo “të manipulimit” në Vushtrri nuk ka pasur asnjë lidhje me arsye personale, por ka qenë një veprim i domosdoshëm për të luftuar padrejtësitë, për ta mbrojtur votën e qytetarëve ndaj LDK-së dhe për të kontribuar në ndriçimin e një fenomeni që dëmton sistemin zgjedhor dhe besimin e qytetarëve.

Krasniqi shton se duke qenë pjesë e këtij procesi ka pësuar edhe dëmtime personale, pasi ky angazhim thotë se i ka sjellë pasiguri dhe presione të ndryshme. 

“Reagimi im për parregullësi ka nisur me 16 shkurt kur ankesën për hapjen e kutive kam dërguar në PZAP, kjo nënkupton qartë se nuk ka të bëj asgjë personale por me fenomenin të cilin e kemi kuptuar që në ditën e dytë të procesit të numërimit dhe jo vetëm për mua si kandidate, por ka një numër të madh të kandidatëve që kanë mospërputhje në kuti të votimit karshi atyre që i kanë futur në sistem” – ka shkruar Krasniqi në Facebook më 07.03.2025.

Sipas Krasniqit, raporti i detajuar i Prokurorisë do t’i shpërfaqë të gjitha manipulimet. Ajo shprehet se e presin këtë raport dhe vlerëson se votën do ta mbrojë me çdo mjet juridik.

“Nuk është me rëndësi sa vota kam humbur ose kam fituar personalisht e rëndësishme është tendenca e komisionerëve të porositur që dhjetëra vota kanë qenë të shkruara për kandidatin në sistem përderisa në kuti nuk kanë ekzistuar ato vota. Tendenca tjetër e tyre për manipulim ka qenë që edhe fletëvotimet e pavlefshme ku kanë qenë 11 kandidatë të votuar e kandidati i 11 ka qenë kandidati i Vushtrrisë të numërohet si votë e rregulltë” – ka shtuar ajo.

Më 06.03.2025, ekipi i KALLXO.com kishte vizituar Qendrën e Numërimit të Rezultateve në Vushtrri për të vëzhguar rinumërimin e votave për LDK-në, mirëpo Policia e Kosovës nuk lejoi mediat të hyjnë brenda sallës ku u rinumëruan me arsyetimin se brenda ndodhej Prokuroria.

Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Mitrovisë, konfirmoi për KALLXO.com më 05.03.2025 se urdhri për t’u numëruar të gjitha votat e kësaj partie ka ardhur pas ankesës që kanë pranuar nga një kandidate për deputete.

“Prokuroria ka dhënë urdhër që të numërohen të gjitha vendvotimet për votat e një subjekti të vetëm, të LDK-së, në Vushtrri.” – kishte thënë Preteni për KALLXO.com.

Në vendvotimet në Vushtrri, LDK-ja ka marrë 3,837 vota, në përfaqësi diplomatike 1,109 vota, nga votat me postë 5,878 vota.

Sipas rezultateve preliminare, pas numërimit të votave të rregullta të zgjedhjeve të 09.02.2025, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 40.90% të votave të fituara, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.03%. E treta ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.64% të votave, pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.46% të votave të fituara.

Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.