Kuti Votimi - Foto: Wikimedia/Rama

Rinumërim i votave në Bosnje për pozitën e presidentit të Republikës Sërpska

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnje-Hercegovinës ka urdhëruar të hënën hapjen e kutive të votimit në Sarajevë për të rinumëruar votat për Republikën Sërpska, për nivelin e presidentit dhe atë të nënpresidentit.

Gjashtë anëtarë të Komisionit kanë votuar në të mirë të vendimit dhe vetëm një ka qenë kundër.

“Në mbledhjen e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Bosnje ka shqyrtuar disa ankesa dhe ka pasur qasje në të dhëna dhe video-materiale. Procesi zgjedhor është aq i kontaminuar saqë nuk është e mundshme që të vërtetohet rezultati i saktë”, ka thënë presidenti i këtij Komisioni, Suad Arnautoviq.

Ai ka shtuar se vëzhguesit e akredituar do të informohen në kohë të duhur dhe se fillimisht do të bëhet një analizë e votave të pavlefshme.

Sipas rezultateve të fundit, Millorad Dodik, kandidati i partisë në pushtet, Aleanca e Social-Demokratëve të Pavarur, ka fituar 291.915 vota.

Kundërshtarja e tij, Jellena Triviq, e cila është mbëshetur nga partia e saj, Partia për Progres Demokratik, Partia Demokratike Serbe dhe Lista për Rregull dhe Drejtësi, e Nebojsha Vukanoviqit, ka fituar 262.969 vota.

Më 5 tetor, përfaqësuesit e Partisë Demokratike Serbe dhe Partisë për Progres Demokratik, parti opozitare në Republikën Sërpska, kanë kërkuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor që të rinumërojnë të gjitha votat për këtë entitet.

Triviq ka thënë se ka pasur “gjendje lufte” në disa qendra votimi.

Anëtarët dhe simpatizantët e partive opozitare të Republikës Sërpska janë mbledhur dy herë në Banja Llukë për të protestuar rreth rezultateve zgjedhore.

Sipas udhëheqësve të Republikës Sërpska, rinumërimi i votave nuk është opsion.

Në një konferencë për media në Beograd, Dodik ka thënë më 10 tetor se partia e tij ka fituar “në të gjitha nivelet”, dhe ka paralajmëruar padi kundër Komisionit Qendror Zgjedhor të Bosnjës.

“Rezultatet preliminare tregojnë se kam 29.000 vota më shumë në zgjedhjet për president të Republikës Sërpska”, ka thënë Dodik.

Sipas votave të numëruara deri më 10 tetor, kandidati boshnjak, Denis Beqiroviq, ka fituar ulësen në presidencën trepalëshe të Bosnjës, derisa Zhelko Komshiq e ka fituar ulësen kroate.

Republikën Sërpska do ta përfaqësojë Zhelka Cvijanoviq, kandidate e partisë së Dodikut.

Shtetasit e Bosnjës kanë votuar më 2 tetor për përfaqësuesit e tyre në Presidencën trepalëshe dhe ligjvënësit në nivelet kombëtare, rajonale dhe lokale.

Më shumë se 60.000 vëzhgues janë akredituar për të mbikëqyrur procesin.

Sipas autoriteteve, dalja në zgjedhje ka qenë 50 për qind, apo 2 për qind më pak sesa në zgjedhjet e vitit 2018.

Gara është konsideruar të jetë zhvilluar mes nacionalistëve dhe reformistëve të fokusuar në ekonomi.

Bosnja përbëhet nga dy rajone autonome: Republikën Sërpska e dominuar nga serbët dhe Federata me popullsi kryesisht të boshnjakëve myslimanë dhe kroatëve.

Federata është e ndarë në 10 kantone.

Ekziston edhe distrikti i ndarë Bërçko në veri.

Ky organizim është krijuar sipas Marrëveshjes së Dejtonit, të vitit 1995, të cilat u kanë dhënë fund tre vjetëve luftime në këtë republikë të ish-Jugosllavisë. /REL